Dita e 12-të e protestave, populli në këmbë kundër Ramës dhe Berishës
Protesta e radhës e qytetarëve pritet të zhvillohet sot, ndërsa kërkesat kryesore mbeten të njëjta: ndalimi i ndërtimeve në zonën e Zvërnecit, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama së bashku me kabinetin qeveritar, si dhe e kreut të opozitës Sali Berisha.
Kjo shënon ditën e 12-të radhazi të mobilizimit qytetar, një lëvizje që ka ardhur në rritje të vazhdueshme si në pjesëmarrje, ashtu edhe në shtrirje gjeografike. Protestat nuk janë kufizuar vetëm në Tiranë, por janë përhapur edhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa mbështetje është shprehur edhe nga shqiptarët në diasporë.
Nën sloganin “Shqipëria nuk shitet”, qytetarët kanë vijuar të artikulojnë kundërshtimin e tyre ndaj projekteve që, sipas tyre, cenojnë pasuritë natyrore dhe interesin publik. Zvërneci është kthyer në simbol të kësaj lëvizjeje, duke u vendosur në qendër të debatit publik dhe politik.
Ndërkohë, protesta e zhvilluar një ditë më parë u konsiderua si më e madhja deri më tani kundër qeverisë Rama. Mijëra qytetarë morën pjesë në marshimin që zgjati për orë të tëra gjatë mbrëmjes, duke treguar një nivel të lartë organizimi dhe vendosmërie për të vijuar rezistencën qytetare.
Pritshmëritë për protestën e sotme mbeten të larta, ndërsa organizatorët paralajmërojnë pjesëmarrje edhe më të gjerë dhe intensifikim të aksioneve në ditët në vijim.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



