Nga shtëpia dhe nga makina, deputetët e PS votojnë si në kohë lufte
Mbledhjet parlamentare në distancë janë kthyer sërish në qendër të vëmendjes, pasi deputetët e Partisë Socialiste zhvilluan online diskutimet dhe votimet në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, pa qenë fizikisht të pranishëm në sallën e mbledhjeve.
Mes deputetëve që morën pjesë në këtë format ishin Iris Luarasi, Ardit Bido, Piro Dhimo, Ramion Kurti, Kiduina Zaka, Etleva Budini dhe Alma Selami. Sipas raportimit për mbledhjen, Luarasi u lidh nga banesa e saj, ndërsa Dhimo votoi nga makina. Bido dhe disa kolegë të tjerë morën pjesë nga zyrat e tyre.
Ndërkohë, deputetët e opozitës bojkotuan mbledhjen, duke bërë që diskutimet të zhvilloheshin pa pjesëmarrjen e tyre.
Gjatë ndërhyrjes së saj, Iris Luarasi u ndal te protestat e fundit në Tiranë, duke ngritur shqetësimin për përfshirjen e të miturve në përplasjet mes protestuesve dhe policisë. Ajo theksoi se e drejta për të protestuar duhet respektuar, ndërsa çdo rast i tejkalimit të kompetencave nga efektivët e policisë duhet të hetohet.
Luarasi u shpreh gjithashtu kundër përfshirjes së fëmijëve në situata të rrezikshme gjatë tubimeve, duke argumentuar se ata nuk duhet të gjenden në mes të përplasjeve me gurë, molotovë dhe gaz lotsjellës.
Deputetja u bëri thirrje kolegëve të opozitës që të rikthehen në komisionet parlamentare dhe të marrin pjesë në diskutimet institucionale.
Përtej temave të trajtuara, mënyra e zhvillimit të mbledhjes rikthen vëmendjen te pjesëmarrja fizike e deputetëve në punën parlamentare dhe përdorimi i formatit online gjatë shqyrtimit dhe votimit të çështjeve në komisione.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



