Dita e 9-të e protestave, qytetarët sërish në shesh kundër Ramës
Për të nëntën ditë radhazi, qytetarët shqiptarë pritet të mblidhen sot në protestë në Tiranë, duke vijuar kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Tubimi është njoftuar të nisë në orën 18:00 në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.
Me sloganin “Shqipëria nuk shitet”, organizatorët u bëjnë thirrje qytetarëve t’u bashkohen në protestë, duke theksuar se bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave publike, dinjitetit dhe të ardhmes së vendit.
“Zëri ynë, dinjiteti ynë dhe e ardhmja jonë. Shqipëria i përket shqiptarëve”, shprehen ata në thirrjet e shpërndara për mobilizimin e protestës.
Fillimisht, reagimi qytetar u fokusua kundër projektit turistik që parashikohet të ndërtohet në zonën e Zvërnecit, duke kërkuar anulimin e tij. Megjithatë, gjatë ditëve të fundit, kërkesat janë zgjeruar, duke përfshirë edhe thirrje për largimin e kryeministrit, si shprehje e pakënaqësisë më të gjerë ndaj qeverisjes.
Protestat e njëpasnjëshme tregojnë një rritje të tensionit dhe mobilizimit qytetar, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet protesta e radhës dhe nëse do të ketë reagim nga institucionet.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



