Dita e 97 e protestës nis para Gjykatës Penale
Protestuesit e kanë nisur ditën e 97 të revoltës duke u mbledhur para Gjykatës Penale.
Një akt i tillë është ndërmarrë për shkak të mbështetjes ndaj protestuesve të arrestuar mbrëmjen e së martës, pas tensioneve dhe përplasjes me policinë para Kryeministrisë, pasi sot pritet të jepet masa e sigurisë ndaj tyre.
Protestuesit kanë paralajmëruar dje se do të kërkojnë lirimin e të arrestuarve, ndërsa kanë ripërsëritur kërkesat e protestës që po shkon drejt ditës së 100.
Kërkesa kryesore dhe e pa negociueshme e tyre mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.
Ndërkohë si çdo mbrëmje, qytetarët do të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, aty ku edhe do të mbahen fjalimet, për të vijuar më pas me marshimin drejt rrugëve të kryeqytetit.
Protestuesit e arrestuar të martën pritet që sot të njihen me masën e sigurisë, pasi për rreth 2 orë bllokuan hyrje-daljet e kryeministrisë teksa brenda ndodhej kreu i qeverisë Edi Rama.
Ndërkohë në mbështetje të tyre para Gjykatës Penale janë mbledhur qytetarët, të cilët bëjnë thirrje për lirimin e tyre.
“Lironi shqipet”, ishin thirrjet e qytetarëve, ndërsa theksojnë se “nuk intimidohen”.
Protestuesit e arrestuar:
Dritan Goxhaj
Junik Matoshi
Edison Lika
Erlind Almeta
Sokol Bushi
Lulzim Gjini
Valtion Shameti
Florian Manarkolli
Desiderjo Alimucaj
Bora Mitrovica
Arvina Lleshi
Ylli Brahaj
Arben Kola
Aumiraldi Dalliu
Protesta e mbrëmshme shënoi ditën e 96-të të mobilizimit. Qytetarët u mblodhën fillimisht përpara Kryeministrisë dhe më pas marshuan në rrugët e Tiranës, me flamuj kombëtarë dhe flakadanë. “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëri e Re” ishin ndër thirrjet e përsëritura gjatë tubimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



