Djemtë e BKH me patllake te dera janë rrugës, kujdes telefonin!
“Omerta” e Ramës, pasojë e kanosjes së Belës
Të dyja janë shkrepje kriminale dhe mafioze. Të dyja të ekzekutuara publikisht para kamerave. Balluku, në shkelje flagrante të masës së sigurisë të vendosur nga Gjykata e Posaçme dhe e shkarkuar nga çdo funksion, hyri sërish në një nga vendngjarjet e dosjes së saj. Ndonëse këtë flagrancë nuk e shërbeu as prokuroria, as aktorët politikë pro dhe kundër. Vajti në zyrë. Aty ku, me vendim përfundimtar edhe të Gjykatës Kushtetuese, e kishte të ndaluar të shkonte.
Mori kontrollin e ish-detyrës, duke vijuar kërcënimet publike ndaj shumë personave brenda dhe jashtë asaj ndërtese. Pa përmendur shkrehjen e zëvendësuesit Enea Karakaçi, i cili e quante zonja zëvendëskryeministre, sikur thërriste i gafilosur për ndihmë, se mbase qëllon si shumë të tjerë i kapur prej ish-shefes, në ekipin e mëparshëm të saj. Duke dashur të dëshmonte fuqinë e saj në qeverisje dhe parti, nëpër biznese e pis-nese, e pandehura mes të tjerash u dërgoi haber kundërshtarëve, dëshmitarëve e zyrtarëve se “gjuha kocka s’ka, por kocka thyen”. Një provë me zë e me resme, dëshmi kanosëse për këdo që ajo e çmon rrezik për shembjen e saj, në kafazin e burgut, në përballjen me drejtësinë.
Daullja bie për ata që kanë veshë, urton prej motesh populli. Dhe dëgjuesi i parë i këtij mesazhi force, me sa u mor vesh shpejt, ishte frikacaku i njohur, Edi Rama. Për të treguar se po i bindej vorbullës së panikut nga burgu i të dyve, ai shtoi dhunën po para kamerave. Pasi lajmëroi heroizma të përbashkëta me zëvendësen, për kafshimet e miliarda eurove, shtroi me qindra kilometra hekurudhë në letër. Këtu komedia është se Maqedonia, me afro 700 kilometra hekurudhë aktive, ka rreth 700 punonjës, ndërsa Shqipëria, me zero kilometra hekurudhë, ka një drejtor dhe diku te 950 punonjës.
Më tej sulmoi Strukturën e Posaçme me libër shtëpie, bëri gjestin e gojëqepjes, “Omerta”-n mafioze të heshtjes për këdo që ishte në sallë dhe për ndjekësit nga ekranet. E shpalli vendimin se kërkesa e akuzës për imunitetin dhe arrestin e zëvendëses së tij rrëzohet.
Ky ishte lajmërim. Organizata kriminale “Qeveria” e ushtron aktivitetin hapur. “AKSHI” dhe “Balluku” janë organizata me epror të njëjtë. Porositë e marra nga i njëjti burim. Bandat ortake funksionojnë. Struktura e Posaçme “afërmendsh” do të shkojë për herë të dytë, si në asnjë rast tjetër në 35 vite në Kuvend, me një kërkesë të dytë për ish-numrin dy të Ramës. Sërish arrest dhe imunitet. Me prova të reja, akuza të reja. Me një pozitë të rënduar penale në drejtim të saj. Përtej 16 mijë faqeve. Më shumë se 80 prova. Korrupsion, grup i strukturuar dhe organizatë kriminale. Ndoshta, sepse prova ka edhe për cenim të sigurisë kombëtare.
Po Edi Rama?
Çastet e fundit për të braktisur “Omerta”-n. Për të kuvenduar me gjuhën, për të ruajtur kockat e tij, sipas mesazhit të Belës. Ora për të dëshmuar dhe për t’u përballur me Prokurorinë ka skaduar prej kohësh. Prej kohësh i bashkëhetuar me Ballukun. Ka male me punë në rrëfimet për Inceneratorët, Llogaranë, Aeroportin e Vlorës, Porto Romanon, Portin e Durrësit, “tigrat” e energjisë, “Smart City”, koncesionet, narkobizneset strategjike, Becchettin, Sinaloan, Ndranghettën, Charles-in e shumë të tjera.
Djemtë me patllake te dera janë rrugës. Ah, kujdes telefonin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



