“Do presim sa të rritet Zaho që të hyjmë në BE”
Në Shqipëri integrimi europian nuk është më një proces politik. Është bërë një projekt familjar afatgjatë. Reforma, kapituj negociatash, standarde demokratike – të gjitha këto janë tërci e vërci të lodhshme dhe llogje allashqiptare. Zgjidhja reale duket më e thjeshtë: pritni sa të rritet Zaho.
Le të kërkojë Brukseli shtet ligjor dhe institucione serioze, në Tiranë ne prodhojmë spektakle të pështira. Refuzimi i kërkesës për heqjen e imunitetit të Belinda Balluku nuk ishte një episod parlamentar. Ishte një tjetër tallje publike me atë që dikur u quajt reformë në drejtësi dhe me vetë idenë e shtetit të së drejtës.
Një reformë që u shit si historike dhe që përfundon në një farsë. Kur drejtësia kërkon arrestime me ‘dardha e kumbulla’ të të vjedhura në dorë të Belinda Ballukut, padishahu ynë nga frika se do shkojë bashkë me Balluken, votoi shpëtimin e saj për pak kohë. Rezultati është i njëjtë çdo herë: drejtësia mbetet një dekor, ndërsa pushteti një klub privat i Edi Ramës.
Kjo është stërkala e radhës e “nevojtoreve” publike që vetë kemi prodhuar. Institucionet që duhej të ishin shtylla të demokracisë janë kthyer në vende ku politika bën pazaret e veta ndërsa publiku shikon nga jashtë.
Ndërkohë “skllevërit” rrinë e vështrojnë yjet dhe presin integrimin europian si një mrekulli qiellore. Por Europa nuk funksionon me mrekulli; funksionon me ligj, përgjegjësi dhe institucione që nuk shpëtojnë askënd nga drejtësia.
Në këtë realitet absurd lind edhe shpresa më e re kombëtare: Zaho.
Sepse nëse sistemi dhe ne qytetarët majtas e djathtas vazhdon kështu, Shqipëria nuk do të hyjë në BE me reforma.
Do të hyjë me trashëgimi.
Do presim sa të rritet Zaho që të hyjmë në BE.
Ndërkohë ne po shikojmë endrra deri sa të rritet Zaho dhe të plaket Rama e Berisha.
Dhe kur një ditë të na dalë gjumi, mund të kuptojmë se ndërkohë ujqërit e kanë mbaruar punën me ne.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



