E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
BE-ja i “shkel syrin” Brahos: Kemi besim tek SPAK
Lajme

BE-ja i “shkel syrin” Brahos: Kemi besim tek SPAK

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth çështjes së ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, duke theksuar se ndjek nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Në një përgjigje për Albanian Post, Delegacioni i BE-së ka shmangur komentet për çështjen konkrete, duke argumentuar se ajo është aktualisht nën hetim.

“Ne nuk komentojmë çështjet në vazhdim”, thuhet në përgjigje.

Megjithatë, Delegacioni thekson se zhvillimet në fushën e shtetit të së drejtës dhe reformës në drejtësi vijojnë të ndiqen nga afër, duke vlerësuar progresin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ne ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me shtetin e së drejtës, veçanërisht reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm”, thuhet në përgjigjen e Delegacionit.

Në të njëjtën kohë, BE-ja rikonfirmon mbështetjen dhe besimin e saj te Prokuroria e Posaçme.

“Kemi besim të plotë në aftësinë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet më tej.

Në të njëjtën linjë me Komisionin Evropian

Qëndrimi i Delegacionit të BE-së në Tiranë është në të njëjtën linjë me deklaratën e bërë më 25 shtator nga Komisioni Evropian.

Gjatë konferencës së përditshme për shtyp në Bruksel, zëdhënësi Guillaume Mercier u pyet lidhur me hetimin që përfshin ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe nëse zhvillimet mund të kishin ndikim në vlerësimin e Shqipërisë për shtetin e së drejtës dhe kapitujt e sigurisë në kuadër të negociatave të anëtarësimit.

Mercier deklaroi se Komisioni nuk komenton çështje konkrete që janë nën hetim, por theksoi se institucioni ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me shtetin e së drejtës, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Ai rikonfirmoi gjithashtu “besimin e plotë” të Komisionit Evropian në aftësinë e SPAK për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Në përgjigje të një pyetjeje të mëtejshme lidhur me sigurinë e shkëmbimit të informacionit mes BE-së dhe Shqipërisë, Mercier nuk dha koment shtesë, duke iu referuar vlerësimit më të gjerë të situatës dhe raportit të ardhshëm të zgjerimit.

Qëndrimi i përsëritur nga institucionet evropiane vjen në një moment kur çështja e ish-drejtoreshës së SHISH vijon të jetë nën hetim dhe kur zhvillimet rreth saj kanë hapur diskutime mbi funksionimin e institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.