Dosja AKSHI ndez “furtunën” në Policinë e Shtetit, priten lëvizje të tjera
Një valë lëvizjesh në kupolën e Policisë së Shtetit ka nisur të marrë formë, duke sinjalizuar zhvillime të reja që lidhen me dosjen e bujshme të AKSHI-t. Largimi i Neritan Nallbatit nga drejtimi i Departamentit të Policisë Kriminale shihet si hapi i parë i një riorganizimi më të gjerë në strukturat drejtuese.
Zyrtarisht, Nallbati është transferuar në Akademinë e Sigurisë pas përfundimit të mandatit, ndërsa në vendin e tij është komanduar Arjan Muça. Paralelisht, ndryshime janë bërë edhe në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku Pëllumb Seferi është zhvendosur në të njëjtin institucion, ndërsa drejtimi i përkohshëm i është besuar Artan Bajraktarit.
Megjithatë, sipas burimeve pranë strukturave të sigurisë, këto lëvizje nuk janë thjesht procedura rutinë, por pjesë e një procesi më të thellë filtrimi të drejtuesve që mund të kenë lidhje me zhvillimet nën hetim. Në qendër të verifikimeve janë kontaktet e dyshuara të disa zyrtarëve të lartë të policisë me Ergys Agasin, i shpallur në kërkim nga SPAK për përfshirje në grup të strukturuar kriminal.
Burimet bëjnë me dije se lista e lëvizjeve pritet të zgjerohet, duke përfshirë edhe drejtues të tjerë të identifikuar me inicialet M.K, K.K, G.N dhe V.B, të cilët konsiderohen si persona me lidhje të afërta me Nallbatin.
Një çështje që mbetet e hapur është nëse kjo valë ndryshimesh do të prekë edhe drejtimin e Krimit Kibernetik. Në këtë kontekst përmendet emri i Ervin Gjanës, ndërsa bashkëshorti i saj, Renato Hrstic, është aktualisht nën hetim si person i afërt me Ergys Agasin. Në kuadër të këtij hetimi, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin e pajisjeve elektronike.
Sipas hetimeve paraprake, Agasi, në bashkëpunim me Ermal Beqirin, dyshohet se ka qenë një nga figurat kyçe të një rrjeti kriminal që ndikonte në tenderët e AKSHI-t, duke orientuar fituesit dhe duke fryrë kostot për përfitime financiare. Paratë e gjeneruara dyshohet se kanalizoheshin përmes skemave të ndryshme, përfshirë faturime fiktive.
Në këtë situatë, përfshirja indirekte e personave të lidhur me struktura të rëndësishme të Policisë së Shtetit në hetime të tilla shton presionin për transparencë dhe rrit pritshmëritë për një pastrim të thellë të radhëve të drejtimit.
Ndërkohë, verifikimet vijojnë edhe për veprime të dyshuara të jashtëligjshme brenda strukturave të caktuara, të cilat dyshohet se kanë synuar të shmangin ekspozimin publik të figurave të lidhura me këtë skandal, përpara se çështja të dilte në dritë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



