Dosja e SPAK nxjerr në dritë planin për kullë në zonën VIP të Tiranës
“Ka taku Iliri dje, presim një VKM tani”, trafikantët prisnin dritën jeshile për kullën pranë Gardës
Rënia e vazhdueshme e euros kundrejt lekut ka rikthyer në vëmendje debatet mbi burimin e sasive të mëdha të valutës që qarkullojnë në ekonominë shqiptare. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro ka zbritur nën nivelin e 94 lekëve, një prej vlerave më të ulëta të regjistruara ndonjëherë.
Në këtë kontekst, një dosje hetimore e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e publikuar nga skyweb.al, hedh dritë mbi mënyrën se si, sipas dyshimeve të organit të akuzës, fitimet nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë investuar në pasuri të paluajtshme dhe projekte ndërtimi në Shqipëri.
Sipas materialeve hetimore, në dosjen ku nën hetim janë Ilir Shtufi, Luçiano Koçeku dhe persona të tjerë, SPAK përshkruan një skemë të dyshuar të pastrimit të parave përmes investimeve në sektorin e ndërtimit, kryesisht në Tiranë dhe në jug të vendit.
Përgjimet e SPAK dhe interesi për ndërtimin e një kulle
Një nga episodet që evidentohet në dosje lidhet me një pronë pranë Gardës së Republikës, në zonën afër Liqenit Artificial të Tiranës, ku personat nën hetim shfaqin interes për zhvillimin e një projekti ndërtimor.
Sipas SPAK, në një komunikim të përgjuar në muajin maj 2020, dy persona diskutojnë mbi ecurinë e procedurave administrative dhe pritjen e një vendimi të Këshillit të Ministrave që do të ndryshonte statusin e tokës dhe do të mundësonte regjistrimin e saj në hipotekë.
Në dosjen hetimore citohet komunikimi:
“Kusho, Garda në rregull ka qen, takim Ilir dje, ka kalu, esht shpall fitusi. Javën tjetër presim një VKM për ndrimin e tokës në hipotek, max 10 dit, 2 jav myllen kontratat.”
Bashkëbiseduesi i përgjigjet:
“Ok super kush, po shifemi me von.”

Dyshimet e SPAK
Sipas interpretimit të SPAK, ky komunikim ngre dyshime se personat nën hetim kishin dijeni paraprake për një vendimmarrje të Këshillit të Ministrave që pritej të miratohej, ndërsa e lidhnin vijimin e kontratave me miratimin e kësaj VKM-je.

Në dosje përmendet se Ilir Shtufi rezulton personi që shfaq interes dhe ndjek nga afër procedurën, ndërsa bisedat e administruara nga hetuesit konsiderohen pjesë e provave që po analizohen në kuadër të hetimit.
Sipas SPAK, ekzistojnë dyshime se të ardhurat e përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë kanalizuar në investime në pasuri të paluajtshme, përmes blerjes së tokave, ndërtimit të vilave dhe financimit të projekteve ndërtimore me vlera të konsiderueshme.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar rrjedhën e fondeve dhe për të verifikuar rolin e secilit prej personave të përfshirë në këtë dosje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



