Dosja e SPAK, zbardhen përgjimet që nxjerrin zbuluar Eldi Dizdarin
Detaje të reja janë bërë publike nga dosja hetimore e SPAK, ku hidhet dritë mbi funksionimin e një rrjeti të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Në qendër të këtij aktiviteti rezultojnë Eldi Dizdari, Dritan Gjika dhe Armando Pacani, ndërsa një rol kyç si furnizues dhe organizator i dërgesave i atribuohet Salvatore Aliut.
Sipas materialeve hetimore, Eldi Dizdari ka bashkëpunuar ngushtë me Salvatore Aliun për organizimin e transportit të kokainës nga Ekuadori drejt porteve evropiane. Në këtë skemë, Aliu përshkruhet si personi përgjegjës për sigurimin dhe nisjen e ngarkesave, ndërsa Dizdari si porositësi dhe financuesi kryesor i tyre.
Komunikimet e zbardhura përmes aplikacionit Sky ECC tregojnë se Dizdari, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Armando Pacani, kanë transferuar shuma të mëdha parash drejt Aliut në disa shtete, përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë, Italinë dhe Shqipërinë. Këto pagesa lidhen drejtpërdrejt me furnizimin dhe dërgimin e kokainës. Për vetëm një periudhë nga 14 gushti deri më 6 shtator, rezulton se Dizdari i ka dërguar Aliut rreth 8 milionë euro.
Transferimet financiare janë realizuar përmes sistemit informal Hawala, një metodë e përdorur shpesh për të shmangur gjurmimin bankar.
Në një nga episodet e dokumentuara, Dizdari i kërkon Aliut që të dërgojë drejt Evropës vetëm kontejnerë të kontaminuar me kokainë, duke e siguruar se do të arrijë t’i nxjerrë ngarkesat nga portet evropiane pavarësisht mënyrës së fshehjes.
Në një tjetër komunikim, të datës 28 gusht 2020, Dizdari shprehet se është në gjendje të përballojë sasi shumë të mëdha droge, duke i thënë Aliut se mund të dërgojë pa kufizim, pasi ai mund të menaxhojë deri në 10 ton kokainë në javë.
Në dosje janë përfshirë edhe disa nga mesazhet e dërguara nga Dizdari drejt Aliut:
nuk dorzojem un jo dhe me 20 pun
po mir vlla po spat ket jav tjeteren
vetem ma bej mu ate
mos mja premto kujt
dhe india mir esht
po skan vend kutiat se jan drru te shumtat
po jo te mcefme vlla
mrapa dere
mos e vrit mendjen
jo 3 po dhe 10t ne jav i perballoj
ska rensi shum finali
se kam 3 turne vlla mjes drej dark dhe kuti final anyëp e bej
sesht problem
Në një tjetër bisedë, Dizdari i kërkon Aliut një dërgesë prej 2 deri në 3 ton kokainë nga Ekuadori drejt Evropës, duke i lënë të hapur çdo metodë fshehjeje për transportin e saj. Për të konfirmuar pagesat, ai i ka dërguar edhe një foto që dokumenton transfertat financiare drejt Ekuadorit, së bashku me datat përkatëse dhe numrin e token-it, për një shumë totale prej 8 milionë eurosh gjatë periudhës 14 gusht – 6 shtator.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shtrirjen dhe mekanizmat e këtij rrjeti kriminal ndërkombëtar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



