Drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu nën hetim nga Prokuroria Speciale
Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, është paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë Speciale për t’u marrë në pyetje në kuadër të një hetimi për dyshime mbi keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Sipas raportimeve nga mediat në Kosovë, Aliu ka nisur intervistimin që në orët e para të mëngjesit përpara prokurorëve specialë. Hetimi lidhet me vendimmarrjet e tij gjatë kohës që mbante postin e ministrit të Infrastrukturës, një nga dikasteret kyçe në qeverinë e Kosovës.
Aliu dha dorëheqjen nga posti i ministrit në fund të gushtit 2025, në një periudhë zhvillimesh politike që çuan në zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës. Pas largimit të tij, drejtimin e ministrisë e mori përkohësisht zëvendësi i tij, Hysen Durmishi.
Aktualisht, Liburn Aliu ushtron detyrën e drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit në Shqipëri, funksion që e mori në tetor të vitit 2025. Megjithatë, zhvillimet e fundit e rikthejnë atë në fokusin e drejtësisë në Kosovë, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar nëse ka pasur shkelje gjatë ushtrimit të detyrës së tij si ministër.
Deri më tani, Prokuroria Speciale nuk ka bërë publike detaje të mëtejshme mbi çështjen, ndërsa pritet që procesi hetimor të hedhë më shumë dritë mbi rrethanat dhe përgjegjësitë e mundshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



