E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Duar të pastra’, skandali që po ‘gllabëron’ besnikët e Zelenskyt
Bota

‘Duar të pastra’, skandali që po ‘gllabëron’ besnikët e Zelenskyt

Aksioni kundër korrupsionit

Një skandal korrupsioni që po quhet tashmë “afera e duarve të pastra” ka shpërthyer në zemër të Kievit, duke tronditur qeverinë e Volodymyr Zelenskyt si asnjëherë më parë që nga viti 2019. Në qendër të hetimeve janë zyrtarë të lartë të agjencive shtetërore që varen nga kompania energjetike Energoatom, ministrat e linjës dhe madje persona shumë pranë presidentit.

Sipas mediave ukrainase, bëhet fjalë për ryshfete dhe afera të paligjshme me vlera që shkojnë në qindra milionë euro, një skandal që godet drejtpërdrejt besueshmërinë e shtetit ukrainas në një moment delikat, ndërsa ushtria ruse avancon në juglindje dhe vendi përballet me errësirë të vazhdueshme për shkak të bombardimeve mbi infrastrukturën energjetike.

“Si mund të luftojmë në vijën e parë, ndërsa në Kiev disa jetojnë si pasanikë mbi fatkeqësinë tonë?”, pyetën oficerë nga Donbassi disa javë më parë, kur ende nuk ishte zbuluar plotësisht rrjeti i korrupsionit. Tashmë, rreth dhjetë zyrtarë të profilit të lartë janë nën hetim – dhe numri pritet të rritet.

Dorëheqje zinxhir dhe hetime në majën e pushtetit

Zhvillimet e fundit kanë sjellë dorëheqje të njëpasnjëshme në kabinetin qeveritar. Ministrja e Energjisë, Svitlana Grynchuk, njoftoi largimin mbrëmë përmes një postimi në Facebook, ndërsa ministri i Drejtësisë, German Galushchenko, dha dorëheqjen më herët gjatë ditës.

Për herë të parë pas fillimit të luftës, shtypi ukrainas ka thyer politikën e heshtjes në emër të unitetit kombëtar, duke publikuar hetime të detajuara kundër zyrtarëve të përfshirë. Ndër mediat më aktive në zbardhjen e skandalit janë Kyiv Independent dhe Ukrainska Pravda, që kanë raportuar me detaje lidhjet e dyshuara ndërmjet biznesit dhe politikës.

Përballë presionit publik, Zelensky ka braktisur qëndrimin mbrojtës ndaj bashkëpunëtorëve të tij, duke kërkuar publikisht hetim të plotë “pa asnjë kompromis”. Ironikisht, hetimet po drejtohen nga NABU dhe SAPO – dy institucione anti-korrupsion që vetë Zelensky kishte tentuar t’i mbyllte këtë verë.

Rrjeti i korrupsionit dhe lidhjet personale me presidentin

Në qendër të aferës qëndron Timur Mindich, një figurë e njohur dhe mik i hershëm i Zelenskyt. Ai ishte mentori i tij gjatë karrierës artistike dhe bashkëthemelues i studios së famshme Kvartal 95, e cila e bëri Zelenskyn të njohur në mbarë Ukrainën.

Sipas hetimeve, Mindich mori paralajmërim pak përpara arrestimit dhe arriti të largohej nga vendi. Në listën e personave nën hetim përfshihen ish-zëvendëskryeministri Olekiy Chernyshov dhe ish-ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, i cili deri dje mbante postin e sekretarit të Këshillit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Kombëtare.

Hetuesit kanë regjistrime që zbulojnë gjuhë të koduar për ryshfete, ku përmendet edhe një ish-asistent me nofkën “Rocket”, i lidhur me persona të shpallur tradhtarë që aktualisht ndodhen në Moskë. Deri mbrëmë, pesë nga tetë të pandehurit ishin arrestuar.

Nga paratë e Energoatom tek mbrojtja e centraleve

Sipas dokumenteve të hetimit, grupi i të akuzuarve kishte ngritur një plan për mbledhjen e 10–15% të të ardhurave të kompanive furnizuese të Energoatom, e cila qarkullon çdo vit mbi 4,7 miliardë dollarë. Madje, disa zyrtarë janë përfshirë edhe në tenderat për ndërtimin e mbrojtjeve të centraleve energjetike, duke përfituar përmes kompanive që pranonin të paguanin ryshfete.

Një detaj që, sipas analistëve, pritet të rrisë zemërimin e opinionit publik, pasi bëhet fjalë për fonde që duheshin përdorur për mbrojtjen e jetës së civilëve dhe infrastrukturës kombëtare./CORRIERE

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.