Durim Bami humb gjyqin në Dubai, pritet të ekstradohet në Shqipëri
Nuk e fitoi dot të drejtën për qëndrimin si rezident
Durim Bami, një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, i cili vepron kryesisht në zonën e Fushë-Krujës dhe Tiranës, pritet të ekstradohet shumë shpejt nga Dubai në Tiranë.
Sipas burimeve të sigurta, të konfirmuara edhe për gazetarin Elton Qyno, Bami ka humbur procesin gjyqësor final në gjykatat e Dubait lidhur me statusin e tij të qëndrimit si rezident, duke i hapur rrugë nisjes së procedurave për ekstradimin e tij në Shqipëri. Autoritetet pritet të nisin zyrtarisht praktikën e ekstradimit në ditët në vijim, duke e vendosur 46-vjeçarin në të njëjtën situatë me disa persona të tjerë shqiptarë që ishin fshehur në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Mbërritja e Durim Bamit në Tiranë shihet si një zhvillim i rëndësishëm në korridoret e SPAK, ku prokurorët e posaçëm shpresojnë se ai mund të bashkëpunojë me autoritetet hetimore. Aktualisht, çështja penale ndaj tij është përfunduar dhe është dërguar për gjykim nga SPAK.
Akuzat zyrtare ndaj Bamit janë të rënda. Ai akuzohet për “Sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen” e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka, si edhe për “Sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen” e Hektor alias Tori Xheçuka dhe Erigers Mihasit, vepra të dyshuara të kryera në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”. Gjithashtu, ndaj tij rëndon edhe akuza për “Kultivim të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Durim Bami është ndaluar nga policia e Dubait më 21 tetor 2024. Kjo shënon herën e dytë që ai arrestohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi kishte shkelur rregullat e paraqitjes pranë autoriteteve policore lokale. Arrestimi i parë i tij kishte ndodhur në qershor 2024, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK në maj të po atij viti.
Pas ndalimit të parë, Bami u lirua nga gjykata e Dubait, duke përfituar leje qëndrimi dhe duke u detyruar të paraqitej periodikisht në komisariat për verifikim. Megjithatë, ai nuk iu përgjigj tre thirrjeve të policisë së Dubait të dërguara përmes e-mailit, çka solli arrestimin e tij të dytë.
Gjatë procesit, Bami ka pretenduar se nuk kishte parë mesazhet elektronike dhe për këtë arsye nuk ishte paraqitur në polici në datën dhe orën e caktuar. Këto pretendime nuk u konsideruan bindëse nga gjykata, e cila vendosi të mos e lirojë. Me humbjen e procesit gjyqësor, tashmë është hapur rruga për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Në Shqipëri, Durim Bami do të përballet me akuza që, në rast shpalljeje fajtor, mund ta çojnë drejt një dënimi deri në 20 vite burgim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



