Durrës Marina e Alabarit, arkëtoi 22 milionë euro në vitin 2023 nga shitja e apartamenteve “në ajër”
Investimi strategjik prej 2 miliardë eurosh për ndërtimin e Marinës në Durrës është promovuar si një nga projektet më të mëdha zhvillimore në Shqipëri. Megjithatë, kjo nismë, që u paraqit si një oportunitet madhor ekonomik, rezulton të jetë më shumë një projekt marketingu se sa një strategji reale për përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Në të vërtetë, investimi është i bazuar kryesisht në një model të zakonshëm për Shqipërinë: shitja e apartamenteve “në ajër”, pra parapagimi i klientëve për ndërtime që ende nuk kanë filluar.
Ndërkohë që kompania “Durrës Marina sha” ka mbledhur rreth 22 milionë euro nga parapagimet e klientëve në vitin 2023, sipas bilanceve të saj, ndërtesat nuk kanë filluar ende të ndërtohen. Ky projekt që gëzon një numër të madh përjashtimesh nga taksat dhe që ka marrë sipërfaqe të mëdha pronash publike falas për zhvillim, nuk ka gjeneruar ende asnjë të ardhur të mirëfilltë. Ndërkohë, humbjet e deklaruara janë në rritje, duke shkuar në 517 milionë lekë.
E gjithë skema e financimit të projektit duket e bazuar te parapagimet e qytetarëve dhe te financimet e ardhshme bankare. Kjo qasje është në të vërtetë një model biznesi spekulativ, i cili lë në dyshim se sa do të përmbushet në realitet premtimi për një investim strategjik të qëndrueshëm. Pjesa më e madhe e të ardhurave, rreth 70%, do të gjenerohet nga shitja e apartamenteve, duke bërë që “strategjik” të duket një term i fryrë për një projekt që më shumë synon fitimet e shpejta nga tregu i ndërtimit, se sa të ofrojë zhvillim të qëndrueshëm dhe përfitime afatgjata për qytetin e Durrësit dhe Shqipërinë.
Në fund të ditës, ky projekt është një shembull tjetër i partneriteteve të dyshimta mes shtetit dhe biznesit privat, ku pasuritë publike shiten në treg privat, ndërsa qeveria nuk arrin të sigurojë një strategji zhvillimi të vërtetë për të mirën e qytetarëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



