Dyfytyrësia e Edi Ramës, jep tendera, leje ndërtimi e miniera dhe ha dreka e darka me pronarët e mediave, në publik sulmon gazetarët e punësuar “kazan”
Në të gjitha takimet me gazetarët, shprehja më e përdorur nga kryeministri Edi Rama është “media kazan”. Del nga Kuvendi dhe takohet me gazetarët e terrenit që ndjekin seancat parlamentare dhe nëse ka ndonjë pyetje që nuk i pëlqen, Rama u drejtohet me “media kazani”, “gazetar i paditur” dhe gjëra të tjera si këto. Të cilat e fyejnë rëndë gazetarin e terrenit, por dhe atë që është në një emision televiziv. Pasi nuk kanë qënë të rastit etiketimet e Ramës për ta si “media kazani”, “ballë kazani”, “kazan fare” etj. Etiketim që ka nisur me gazetarët në Tiranë dhe që është shtrirë deri tek mediat në Kosovë. Madje dhe me gazetarët tanë korrespondentë në Bruksel.
Edi Rama pa përjashtim i ka etiketuar kështu “gazetarë kazani”. Por në të vërtetë këta gazetarë janë të punësuar diku, në një media të caktuar dhe kanë një pronar mbi krye. I cili vendos linjën editoriale në median-biznes të tij siç ndodh rëndom në Shqipëri dhe që nuk lejon asnjë gazetar ta shkelë. E ka biznes, madje e ka ngritur median për këtë punë, për të bërë shantazh, për të përfituar dhe për të vënë fitime. Shumica e mediave janë të tilla.
Gazetarët e shkretë tentojnë të bëjnë profesionin e tyre por hasin në censurën e pronarëve të mediave që i kanë punësuar. Shpeshherë dhe në të zezë, shpesherë nuk u japin dhe pagat për muaj të tërë. Dhe Rama i etiketon “gazetarë kazani”.
Ndërkohë që nëse bën një “kërkim” të thjeshtë të vendeve ku darkon apo drekon Edi Rama, kryeministri i vendit, mëson se 60 përqind të drekave dhe darkave ai i konsumon me pronarë mediash. Dhe këtu bëhet pazari me pronarët e mediave në Shqipëri nga ana e Edi Ramës kryeministër. Duke filluar nga Samiri, Sandri, Ylli (Pasmaçiu) e deri te Irfani, Dulaku etj.
Pak pronarë mediash kanë pasur fatin të mos jenë pjesë e drekave dhe darkave të Ramës. Dhe pikërisht këto media etiketohen si “media kazan”. Ndërkohë që gazetarët e të gjitha mediave, dhe të atyre pronarëve që rrinë në dreka e darka me Ramën, etiketohen nga kryeministri si “gazetarë kazani”. Por ka dhe më keq nga ana e Edi Ramës.
Që kur ka qënë kryetar bashkie i Tiranës, por me ardhjen kryeministër i vendit “blerja” e pronarëve të mediave ka qënë dhe “pika e parë” e programit qeverisës. Nuk i ka blerë me reklama, ato janë dhënë me pikatore. Blerja ka qënë më e rëndë, teksa u ka dhënë tendera, leje ndërtimi kullash e pallatesh, leje minerare etj. etj. Që nga Samir Mane dhe Aleksandër Frangaj të TV Klan me leje ndërtimi, ndërtim kullash në qendër të kryeqytetit, leje minerare dhe çfarë kalon përmes arkës së shtetit. Por dhe Irfan Hysebelliu i “News 24”-“Panorama”-“GSH” që e ka mbushur me leje ndërtimi, falje qirash ku janë vendosur kompanitë e tij dhe që nuk i ka paguar për vite e vite me radhë dhe leje minerare. Leje minerare që ka “prodhuar” dhe një TV tjetër “Faxnews” të vëllait të Irfanit, Kasemit. Për të përfunduar tek Xhemail Pasmaçiu që ka “Ora news” dhe “Channel One”, që ka marrë leje minerare, tendera dhe leje ndërtimi dhe jo vetëm. Të gjithë janë mbledhur kokë më kokë në Bulqizë tek minierat. Jashtë këtij “qerthulli” nuk kanë mbetur as Dulakët e “Vizion Plus” ku herë me dështime, e herë me fitime, kanë mundur të “zgrapin” nga Rama “copa” lejesh ndërtimi, tendera dhe pasuri në kurriz të shqiptarëve. Pa përjashtuar as tenderat dhe lejet për Vjollca Hoxhën e “Top Channel”, e cila në mënyrë ndryshe nga të tjerët, tahmaja e madhe po e largon dalëngadalë nga torta e pushtetit që ka vënë Rama në tryezën e mediave për t’i blerë.
Dhe ato “bilbilojnë” live dhe një p**rdhë sikur të lëshojë Rama. Dhe kryeministri ynë në vend që të përmendë këta pronarë mediash që janë në “borderonë” e shqiptarëve duke thithur paratë e tyre me “bekimin” e Ramës, u sulet gazetarëve të punësuar duke i cilësuar “kazan”. Një dyfytyrësi e Ramës që fyen profesionin e gazetarit, ndërkohë që “lartëson” figurën e pronarit të medias me të cilin konsumon “vaktin” e radhës me tendera, leje ndërtimi kullash, pallatesh e leje minerare. Për t’i shërbyer atij live në çdo fjali, në çdo batutë, në çdo takim apo premtim, të mbajtur apo të pambajtur. Gazetarët që lëvizin në terren janë sipas Ramës e keqja, jo pronarët. Një skandal më vete dhe i padëgjuar në asnjë vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



