E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dyshime për lidhje me krimin, 10 drejtuesve të policisë u hiqet certifikata e sigurisë
Lajme

Dyshime për lidhje me krimin, 10 drejtuesve të policisë u hiqet certifikata e sigurisë

AMP zbulon se 6 drejtues të nivelit të parë humbën certifikatën për dyshime mbi pastërtinë e figurës, ndërsa 19 oficerëve të tjerë iu refuzua pajisja me të.

Dhjetë efektivëve të Policisë së Shtetit, mes tyre gjashtë drejtues të nivelit të parë, u është hequr certifikata e sigurisë pas verifikimeve që kanë ngritur dyshime mbi pastërtinë e figurës së tyre. Sipas të dhënave të bëra publike nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), një nga arsyet kryesore lidhet me indicie për kontakte ose lidhje me persona të përfshirë në aktivitet kriminal.

Në një përgjigje zyrtare për TCH, AMP bën të ditur se gjatë një viti, edhe 19 oficerëve të tjerë – 11 prej tyre drejtues të nivelit të parë – u është refuzuar pajisja me certifikatën e sigurisë. Ndërkohë, katër komisarëve u është pezulluar përkohësisht kjo certifikatë deri në përfundimin e proceseve gjyqësore ndaj tyre.

Certifikata e sigurisë është dokumenti që u mundëson një kategorie të caktuar punonjësish të Policisë së Shtetit akses në informacionet e klasifikuara si “Sekret Shtetëror”. Gjatë procesit të verifikimit, Institucioni Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH), Agjencinë e Inteligjencës dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, ka konstatuar se një pjesë e aplikantëve nuk plotësojnë kriteret e nevojshme për t’u pajisur me këtë certifikatë.

Në total, kanë aplikuar 1,487 punonjës të Policisë së Shtetit, ndërsa 33 prej tyre, përfshirë efektivë të rolit bazë dhe një punonjës të Ministrisë së Brendshme, kanë marrë vlerësim negativ.

Vendimet u janë përcjellë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, institucione që duhet të marrin masat përkatëse, duke i sistemuar këta punonjës në pozicione ku nuk do të kenë akses në informacion të klasifikuar.

Sa i përket procesit të vettingut në polici, AMP kujton se ai nisi në vitin 2018 me synimin për të rivlerësuar drejtuesit e Policisë së Shtetit. Megjithatë, ndryshimet e shpeshta në strukturat drejtuese, transferimet dhe emërimet e reja kanë ndikuar në ngadalësimin e këtij procesi.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë gjashtë muajve të fundit janë zhvilluar 26 procese rivlerësimi. Prej tyre, 15 drejtues janë konfirmuar në detyrë, ndërsa për 11 të tjerë procesi është ndërprerë, pasi gjatë zhvillimit të verifikimeve ata nuk ushtronin më funksione drejtuese.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.