Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një kompleks pallatesh në afërsi të QSUT-së në Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve dhe duke krijuar një situatë alarmi për dhjetëra familje që jetojnë në zonë.
Sipas burimeve nga vendngjarja, dyshohet se vatra fillestare e zjarrit ka qenë në ambientet e një marketi në katin përdhes të godinës. Paraprakisht mendohet se flakët janë shkaktuar nga ndezja e disa materialeve kartoni pranë këtij ambienti, çka ka bërë që zjarri të marrë përmasa brenda pak minutash.
Nga kjo pikë, flakët janë përhapur me shpejtësi drejt kateve të sipërme, duke përfshirë fasadën e ndërtesës dhe duke depërtuar në disa apartamente, gjë që ka vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen dhe ka rritur rrezikun për banorët.
Operacioni për vënien nën kontroll të zjarrit ka angazhuar një numër të madh forcash dhe mjetesh zjarrfikëse. Strukturat e Bashkisë së Tiranës kanë qenë në terren me kapacitete të plota, ndërsa në ndihmë kanë ardhur edhe ekipe nga Bashkia Kamëz dhe Bashkia Vorë, duke shtuar burimet njerëzore dhe logjistike në përballimin e situatës.
Ndërkohë, edhe Forcat e Armatosura janë përfshirë në operacion, duke sjellë mjete zjarrfikëse shtesë, personel dhe një helikopter Cougar për ndërhyrje nga ajri. Në mbështetje të operacionit ka qenë edhe UKT, i cili ka siguruar furnizim të vazhdueshëm me ujë përmes autoboteve.
Puna në terren vijon intensivisht për izolimin e plotë të flakëve dhe minimizimin e dëmeve materiale, ndërsa autoritetet po hetojnë për të përcaktuar me saktësi shkaqet e zjarrit.







