Dyshohej për sulm terrorist, 21-vjeçari vritet nga policia gjatë arrestimit
Departamenti i Policisë së Berlinit ka konfirmuar se i dyshuari për sulmin e ndodhur një ditë më parë, Abdul Ballout, është qëlluar për vdekje nga forcat e rendit gjatë një operacioni për arrestimin e tij.
Sipas autoriteteve, ai është lokalizuar në një kompleks kopshtesh në perëndim të Berlinit, rreth orës 18:00 me orën lokale. Operacioni është zhvilluar pas informacioneve për vendndodhjen e tij, ndërsa policia kishte rrethuar zonën për të ndërhyrë.
Në një deklaratë zyrtare, policia bën me dije se i dyshuari është afruar në mënyrë kërcënuese drejt efektivëve, duke mbajtur një thikë në dorë. Në këto rrethana, forcat e emergjencës kanë përdorur armët e zjarrit për ta neutralizuar.
“Personi u afrua drejt forcave tona me një mjet prerës, duke krijuar rrezik të menjëhershëm. Oficerët reaguan sipas procedurave për të neutralizuar kërcënimin,” thuhet në njoftimin e policisë.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme për t’i dhënë ndihmën e parë në vendngjarje, i dyshuari nuk arriti të mbijetojë.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë dhe reagimit të forcave të rendit në situata të rrezikshme në kryeqytetin gjerman, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e sulmit dhe motivet e mundshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



