Policia largon me forcë protestuesit, heq edhe këpucët “simbolike”
Situata para godinës së Kryeministrisë është tensionuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, pasi forcat e policisë kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit që prej ditësh qëndronin në zonë në shenjë kundërshtimi ndaj qeverisë.
Prej rreth një jave, qytetarë të shumtë kishin ngritur një formë rezistence simbolike, duke kaluar natën para Kryeministrisë dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Por ndërhyrja e sotme e policisë ka ndryshuar rrjedhën e kësaj proteste.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, rreth 100 efektivë policie janë angazhuar në operacion, duke larguar me forcë protestuesit dhe duke krijuar një perimetër sigurie rreth godinës. Pas shpërndarjes së tyre, autoritetet kanë pastruar të gjithë hapësirën përreth.
Një nga momentet më të debatueshme ishte heqja e këpucëve të vendosura në shkallët e Kryeministrisë – një simbolikë e përdorur nga protestuesit për të përfaqësuar emigrimin masiv të të rinjve dhe mungesën e shpresës për të ardhmen në vend. Ky veprim është kundërshtuar nga qytetarët, të cilët e kanë konsideruar si cenim të një forme shprehjeje publike dhe artistike.

Gjatë ndërhyrjes janë regjistruar edhe përplasje verbale mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa një protestuese ka debatuar me efektivët që kishin krijuar kordon sigurie.
Policia ka vijuar më tej me largimin dhe sekuestrimin e disa elementeve të përdorura nga protestuesit, përfshirë stola metalikë që shërbenin si barriera mbrojtëse dhe si pjesë e strukturës së improvizuar të tubimit.
Pavarësisht ndërhyrjes, organizatorët kanë bërë të ditur se protesta nuk do të ndalet. Ata kanë njoftuar zhvillimin e protestës së 29-të radhazi, duke theksuar se kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe duke bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë qytetare.
Sipas tyre, tubimet do të vijojnë çdo ditë deri në realizimin e qëllimeve të shpallura, duke e kthyer këtë në një nga protestat më të gjata dhe të qëndrueshme të kohëve të fundit në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



