Dyshohet për helmim masiv në Vlorë, pas fëmijëve të kopshtit, paraqiten në spital edhe të rritur
Situata në Vlorë po merr përmasa më shqetësuese, pasi dyshimeve për helmim të disa fëmijëve që frekuentojnë kopshtin publik nr. 10 u janë shtuar edhe rastet e personave të rritur që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Të prekurit kanë shfaqur simptoma të ngjashme, kryesisht çrregullime gastrointestinale, të shoqëruara me diarre dhe të vjella. Dyshimet paraprake janë për një helmim të mundshëm nga uji, por shkaku mbetet ende i paqartë.
Ajo që shton shqetësimin është fakti se deri në këto momente nuk janë marrë mostra për analiza laboratorike, të cilat do të mundësonin identifikimin e burimit të mundshëm të infeksionit apo helmimit.
Alarmi u dha një ditë më parë, kur pesë fëmijë u paraqitën në repartin e pediatrisë në Vlorë me temperaturë, dhimbje të forta barku dhe të vjella. Të gjithë frekuentonin kopshtin publik nr. 10, çka bëri që dyshimet fillestare të përqendroheshin te një burim i mundshëm kontaminimi në ambientet e institucionit.
Ndërkohë, shqetësimet nuk kufizohen vetëm te fëmijët që kanë marrë trajtim spitalor. Disa prindër kanë raportuar se edhe të vegjlit e tyre kanë shfaqur simptoma të ngjashme, por nuk i kanë dërguar në spital.
Paraqitja e rasteve edhe te personat e rritur e zgjeron më tej pistën e një burimi të përbashkët të mundshëm, ndërsa vëmendja është përqendruar te cilësia e ujit dhe identifikimi i shkakut që ka shkaktuar këto shqetësime shëndetësore.
Për momentin, nuk ka një konfirmim laboratorik që simptomat lidhen me ujin apo me ndonjë burim tjetër. Përcaktimi i shkakut pritet të varet nga kontrollet dhe analizat përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



