E BUJSHME/ Serbia merr vendimin ekstrem për ndeshjen me Shqipërinë
Federata Serbe e Futbollit ka marrë një sërë masash drastike në prag të përballjes së shumëpritur dhe tepër të ndjeshme mes Serbisë dhe Shqipërisë, e planifikuar për më 11 tetor në stadiumin “Dubocica” në Leskovac. Përveç zhvendosjes së ndeshjes nga Beogradi, Federata ka njoftuar edhe një tjetër vendim të bujshëm: nuk do të ketë bileta në shitje të lirë për publikun.
Biletat vetëm me lista dhe identifikim personal
Ky vendim është marrë në bashkëpunim me FIFA-n, UEFA-n dhe Ministrinë e Brendshme të Serbisë, për të shmangur përsëritjen e skenave të dhunshme të vitit 2014. Biletat do të shpërndahen ekskluzivisht përmes listave të kontrolluara, me persona të identifikuar nëpërmjet kartës së identitetit ose pasaportës.
Në njoftimin zyrtar, Federata thekson se:
“Nuk do të ketë bileta në shitje për ndeshjen e ardhshme midis Serbisë dhe Shqipërisë. Pjesëmarrja në tribuna do të sigurohet duke shpërndarë bileta për komunitetin e futbollit përmes federatave rajonale, klubeve, nxënësve të shkollave të futbollit, organizatave dhe sponsorëve.”
Pa tifozë shqiptarë në stadium
Federata ka bërë të ditur se ndeshja është shpallur me rrezik të lartë sigurie, dhe për këtë arsye nuk do të lejohet prania e tifozëve mysafirë – pra, shqiptarë – në tribuna. Po ashtu, FIFA do të dërgojë dy oficerë sigurie në Leskovac për të mbikëqyrur ndeshjen.
“Hyrja në stadium do të lejohet vetëm me bileta të personalizuara dhe kontroll rigoroz në hyrje, në përputhje me standardet më të larta të sigurisë”, vijon njoftimi i FSS-së.
Kujtesë nga e kaluara: incidenti i 2014-ës
Kjo përballje sjell kujtimet e ndeshjes së famshme të tetorit 2014, e cila u ndërpre në Beograd pas shpërthimit të incidenteve të dhunshme në stadium. Federata Serbe e pranon se:
“Përvoja e keqe nga ndeshja e mëparshme çoi në humbjen e një vendi në një kompeticion madhor. Për këtë arsye, po merren të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë maksimale.”
Mesazh për sjellje të qetë dhe sportive
Në fund të deklaratës, Federata Serbe i bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të ruajnë qetësinë dhe sjelljen sportive, duke u kujdesur për një atmosferë sa më të qetë, në mënyrë që kombëtarja serbe të ketë kushtet më të mira për të dhënë maksimumin në fushë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



