E ndoqën për 2 ditë në Lezhë, Nikulaj dyshohet se u vra nga vrasës me pagesë
Entjan Nikulaj, 40-vjeçari që u ekzekutua mbrëmjen e 2 Dhjetorit në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, është mbajtur nën vëzhgim për të paktën 2 ditë më radhë.
Nëpërmjet kamerave të sigurisë, hetuesit kanë arritur të identifikojnë automjetin e autorëve në zonën e Lezhës dy ditë para atentatit. Ky detaj tregon se autorët kanë ndjekur viktimën si dhe kanë studiuar mirë vendin ku do të kryenin ekzekutimin e tij. Ata kanë zgjedhur hyrjen e qytetit pasi aty mungojnë kamerat dhe nuk kishte njerëz në orën që u krye ekzekutimi. Por makina me xhama të zinj ua ka bërë më të vështirë hetuesve, identifikimin e autorëve.
Ndërkohë ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar se 40-vjeçari është prekur nga 7 plumba, dy prej të cilëve në organet jetësore, duke i shkaktuar edhe vdekjen.
Autorët dyshohet se janë vrasës me pagesë, të cilët aktivitetin kriminal e kanë kryesisht në zonën e Fushë Krujës dhe Kurbinit. Ka dyshime se 3 persona kanë marrë pjesë në ekzekutimin e 40-vjeçarit, 2 prej të cilëve, të armatosur me automatikë dhe tjetri në rolin e shoferit.
Pista kryesore e hetimeve për vrasjen e 40-vjeçarit është hasmëria shumë vjeçare mes fisit Nikulaj dhe Lekstakaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



