E trishtë! Mjeshtri që çoi polifoninë në Hollywood, pastron rrugët e Vlorës
Vendim Kapaj, i dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” dhe një ndër figurat më të veçanta të muzikës tradicionale shqiptare, sot përballet me një realitet që bie ndesh me kontributin e tij artistik. Kompozitori dhe instrumentisti me një karrierë rreth 50-vjeçare, i njohur për teknikën e rrallë të interpretimit të fyellit me dhëmbë, aktualisht punon në shërbimet e pastrimit të qytetit për të siguruar të ardhura për familjen.
Pavarësisht se emri i tij së fundmi u bë i njohur gjerësisht për përfshirjen në kolonën zanore të filmit “The Odyssey”, një produksion i madh ndërkombëtar me regji të Christopher Nolan dhe një kastë të njohur aktorësh, realiteti i përditshëm i Kapajt mbetet larg vlerësimit që do të duhej të kishte një artist i këtij niveli.
Në një intervistë për mediat, ai është shprehur se ka zgjedhur të punojë për të mos qenë i varur nga askush:
“E ndjej veten të ofenduar që t’ju shkoj nga mbrapa dhe t’u them ‘aman më çoni në filan vend’. Thjesht kërkoj punë”, u shpreh Kapaj.
Iso-polifonia shqiptare, një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë kulturore, është bërë pjesë e kolonës zanore të këtij filmi prestigjioz. Regjistrimet janë realizuar në Vlorë, ku Kapaj ka interpretuar me fyell dhe culë dyjare në praninë e kompozitorit Ludëig Göransson. Procesi ka zgjatur rreth pesë orë dhe është zhvilluar në ambientet e Teqesë së Kuzum Babait.
Përfshirja e polifonisë labe në një projekt të tillë ka ngjallur emocione dhe krenari tek shqiptarët, duke dëshmuar se tingujt mijëravjeçarë të traditës sonë mund të arrijnë skenat më të mëdha botërore. Megjithatë, për vetë artistin që i solli këta tinguj në Hollivud, përditshmëria mbetet sfiduese dhe larg vëmendjes institucionale.
Në një kontrast të fortë, ndërkohë që qeveria shqiptare ka akorduar me urgjencë miliona euro për evente të mëdha artistike ndërkombëtare, figura si Kapaj, që mbajnë gjallë dhe promovojnë identitetin kulturor shqiptar në botë, vijojnë të mbeten në hije dhe pa mbështetjen e nevojshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



