Edhe Berisha si Rama, fiksohet me “Like” e “Share” e “Komentet”
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një ndryshim të mënyrës së funksionimit të strukturave të partisë, duke vendosur në fokus edhe aktivitetin në rrjetet sociale.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se prania dhe angazhimi në platformat sociale janë një prej dobësive të PD-së dhe se kjo situatë pritet të ndryshojë në kuadër të procesit të ripërtëritjes së partisë.
“Një nga dobësitë e PD janë rrjetet sociale dhe kjo do të ndryshojë”, deklaroi Berisha.
Kreu demokrat sqaroi se procesi i ndryshimit nuk do të kufizohet vetëm te aktiviteti në internet, por do të jetë pjesë e një riorganizimi më të gjerë të strukturave të Partisë Demokratike.
Sipas tij, synimi është që drejtuesit, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së të kenë më shumë hapësirë për të shfaqur dhe zhvilluar aktivitetin e tyre politik.
“Por nuk kemi të bëjmë këtu me rrjete sociale, por me një proces universal të pranimit të vlerësimit. Pra, synohet ripërtëritje e funksionalitetit të PD. Bëhet debat me grupe pune dhe këto kanë qëllim hapësirën për secilin drejtues, anëtar dhe mbështetës të PD për të shfaqur dhe ushtruar veprimtarinë e tij. Ne besojmë se rruga e shndërrimit të potencialeve në vlera dhe kapital është kjo”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha e cilësoi procesin si një transformim të thellë të Partisë Demokratike dhe theksoi se hapi i parë lidhet me ripërtëritjen e strukturave.
“Është një proces i thellë transformues i kësaj partie dhe ky është hapi i parë. Ripërtëritja në PD është proces i gjithanshëm”, deklaroi Berisha.
Berisha: PD nuk do të bojkotojë Parlamentin
Kreu i Partisë Demokratike foli edhe për qëndrimin e opozitës në Parlament, duke përjashtuar mundësinë e një bojkoti.
Berisha tha se një vendim për largimin e deputetëve nga Parlamenti nuk është në tryezë, pasi sipas tij statuti i Partisë Demokratike e përjashton bojkotin.
“PD e ka të përjashtuar me statut bojkotin, të gjitha qëndrimet e tjera janë në tryezë përveç bojkotit. Vendim për t’u larguar nga Parlamenti nuk marrim”, përfundoi Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



