E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Edhe pse nën hetim nga SPAK, Leonidha Çobo ‘gllabëron’ 1 mln € nga Dritan Agolli
Lajme

Edhe pse nën hetim nga SPAK, Leonidha Çobo ‘gllabëron’ 1 mln € nga Dritan Agolli

Ish-administratori i “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo, aktualisht nën hetim për dyshime mbi përfshirje në një skemë të gjerë pastrimi parash, rezulton fitues i një tenderi publik me vlerë rreth 1 milion euro, të zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Dritan Agolli, drejtuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit

Procedura, e fokusuar në ndërtimin e nyjeve multimodale të mobilitetit dhe përmirësimin e performancës së parkimeve përmes pajisjeve teknologjike, kishte një fond limit prej rreth 94.6 milionë lekësh. Fitues u shpall kompania “Tetra” shpk, në pronësi të Leonidha Çobos dhe sipërmarrësit Genc Likoskëndaj, një tjetër emër i lidhur me dosjen hetimore të “Bankers Petroleum”. Rezultati i tenderit u publikua më 5 gusht.

Në garë mori pjesë edhe një operator tjetër ekonomik, por oferta e tij u skualifikua për mosplotësim të kritereve, duke i hapur rrugë shpalljes fituese të “Tetra”-s.

Kompania “Tetra” fiton tenderin 1 mln euro të Fondit Shqiptar të Zhvillimit

Kompania “Tetra” operon prej vitit 2007 në sektorin e teknologjisë dhe elektronikës, ndërsa struktura e saj aksionare ka ndryshuar disa herë ndër vite. Në vitin 2023, Genc Likoskëndaj ishte zotërues i vetëm i aksioneve, por më pas i shiti 20% të tyre Leonidha Çobos për rreth 80 mijë euro, duke e përfshirë këtë të fundit drejtpërdrejt në aktivitetin e shoqërisë.

Leonidha Çobo ka një të kaluar të rëndësishme në sektorin e naftës, si ish-administrator i “Bankers Petroleum”, pozicion që e mbajti deri në vitin 2020. Emri i tij u përfshi në hetimet e nisura në vitin 2025 nga Prokuroria e Fierit, lidhur me dyshime për fshehje të ardhurash, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe shkelje të detyrimeve tatimore nga kompania koncesionare.

Leonidha Çobo

Sipas autoriteteve hetimore, për një periudhë mbi dydekadëshe, aktiviteti i “Bankers Petroleum” ka rezultuar pa fitim të deklaruar, duke shmangur detyrime të konsiderueshme ndaj shtetit shqiptar. Hetimet, të cilat më pas kaluan në kompetencë të SPAK, përfshijnë disa ish-drejtues dhe bashkëpunëtorë të kompanisë, ndërsa Çobo konsiderohet një ndër figurat kyçe në këtë çështje.

Dokumentet hetimore hedhin dyshime mbi një rrjet kompanish dhe transaksionesh financiare të ndërlidhura, përmes të cilave dyshohet se janë gjeneruar dhe qarkulluar fonde të konsiderueshme. Një pjesë e këtyre veprimeve lidhet me marrëdhëniet financiare mes Leonidha Çobos dhe Genc Likoskëndaj, të cilët sot janë ortakë në “Tetra” shpk.

Genc Likoskëndaj

Sipas të dhënave, Çobo ka faturuar shuma të konsiderueshme për shërbime konsulence ndaj subjekteve të lidhura, përfshirë kompani ku vetë rezulton aksioner. Vetëm përmes “Tetra” dhe subjekteve të tjera të lidhura, vlerat e faturuara arrijnë në dhjetëra milionë lekë, duke ngritur dyshime mbi natyrën reale të këtyre transaksioneve.

Fakti që një kompani e lidhur me persona nën hetim fiton një tender publik me vlerë të konsiderueshme financiare, ngre pikëpyetje mbi filtrat dhe standardet e përzgjedhjes në procedurat publike. Çështja pritet të vijojë të mbetet në fokus, ndërsa hetimet për dosjen “Bankers” vazhdojnë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.