E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Edi Rama e ‘mprehu shpatën’, por është vonë për situatën!
Sot

Edi Rama e ‘mprehu shpatën’, por është vonë për situatën!

Nëse ka një gabim që mediat ndërkombëtare bëjnë rregullisht kur raportojnë për Shqipërinë, është reduktimi i krizave tona komplekse në skica të thjeshta ekologjike ose folklorike. Ditët e fundit, vëmendja e huaj u përqendrua te ajo që u pagëzua si “Revolucioni i flamingove” – një valë protestash kundër planeve të zhvillimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Për vëzhguesin e jashtëm, ky ishte thjesht një debat lokal mbi ruajtjen e natyrës. Për ne që jetojmë këtu, ky është fillimi i artikulimit të një revolte shumë më të thellë, më të zymtë dhe ekzistenciale: revolta e “të përjashtuarve” dhe të veçuarve.

Zogjtë elegantë që po tentojnë t’i dëbojnë nga habitati i tyre natyror janë, në fakt, metafora perfekte e brezit të ri shqiptar. Rinia jonë ka vite që po ikën në heshtje, duke fluturuar larg një vendi që nuk po u ofron më as fole dhe as perspektivë.

Mbreti ynë i madhërishëm tall leshin e fundshpinës aq lehtë sa herë thoshte se në një botë të hapur, nuk mund ta ndalosh askënd të kërkojë një pagë më të mirë në Gjermani, pastaj hazërxhevap kishte shprehjen tjetër cinike: të pish kafen si lëng gështenje në Gjermani…

Në 14 vite Shqipëria ka pësuar një tkurrje me ritme si të ishte në konflikt të armatosur.

Pashai i Belës e di se nga Shqipëria largohen neto rreth 30 mijë persona në vit, ku mbi 70% e tyre janë nën moshën 34 vjeç. Brenda një viti të vetëm, grupmosha 0-34 vjeç u pakësua me 33 mijë individë. Në një vend ku popullsia reale ka rënë në më pak se 2 milionë banorë, kjo nuk është thjesht statistikë – është një alarm për shuarje kombëtare. Pashai e di se deri në vitin 2050, Shqipëria do të humbasë plot 43% të grupmoshës 15-24 vjeç, duke u renditur e treta në botë për shpejtësinë e tkurrjes së të rinjve, si Kina dhe Ukraina në luftë.

Padishahu i pensionistëve, patronazhistëve dhe administratës e di se kjo nuk është thjesht një bombë demografike; është një goditje në zemër të zhvillimit. Pa rini, edhe ekonomia e 10 oligarkëve satelitë të padishahut tonë humbet të vetmen gjë që nuk blihet dot me asnjë lloj investimi: inovacionin, energjinë dhe kapitalin njerëzor.

Padishahu e di çfarë modeli ekonomik grabitës ka ngritur vetë me urdhra, një model i shëmtuar që prodhon rritje në letra dhe varfëri në xhep. Ne kemi parë se si të ashtuquajturat “projekte strategjike” – si Durrës Marina i Alabbarit, nuk sollën investime të huaja, burime të jashtme, por thjesht thithën paratë e tregut vendas përmes parapagimeve. Kemi parë se si bregdeti i Jugut, dikur i virgjër dhe i lulëzuar, u shndërrua në një monopol vilash private për një pakicë të privilegjuar me lidhje nga shoqëria e Gysëve, oligarkët, droga dhe vjedhjet masive në Kadastrën e Dysheve.

Padishahu ynë e konceptoi zhvillimin si një ekuacion ku fitojnë vetëm dy sektorë: ndërtimi i kullave të betonit dhe rritja artificiale e çmimeve të pronave duke prodhuar rritje vetëm në letrat e qeverisë, por jo mirëqenie në tavolinat e familjeve; dhe pas kullave me drogë dhe “shtuf”, ky model klientelist ka dështuar me sukses.

Padishahu ynë ka krijuar dy grupe: një pakicë që kap çdo mundësi përfitimi dhe pasurimi, dhe një shumicë që rrinte e heshtur, që vetëpërjashtohet.

Të përjashtuar nuk janë vetëm ata që hipin në avionë. Të përjashtuar janë edhe ata që qëndrojnë këtu, por zgjedhin protestën e heshtur: refuzojnë të bëhen pjesë e sistemit të administratës që të kthen në skllav patronazhist, refuzojnë korrupsionin e parasë publike dhe bojkotojnë zgjedhjet nga mungesa e një morali të vërtetë opozitar.

Ndaj dhe padishahu ynë është çartur nga fiqiri  prej kreativitetit të jashtëzakonshëm të kësaj proteste.

Rrugët e Tiranës janë përmbytur nga një lumë i pafund memesh, videosh dhe artikulimesh inteligjente. Është një kryengritje pa dhunë, e shtyrë vetëm nga dashuria për tokën, natyrën e mrekullueshme që po shkatërrohet pa mëshirë nga pak oligarkë e banditë të pangopur, dhe dëshira legjitime për një jetë me dinjitet.

Kisha kohë që kisha humbur shpresën se Padishahu ynë do të kishte përballë një lumë qytetarie! Ndaj Edi Rama dhe patronazhistët kanë zgjedhur t’i përgjigjen me antimitingje të autizmit politik, me gjuhën e urrejtjes.

Padishahu Rama, i shfaqur pa syzet e tij të kuqe në podkastin e tij të përjavshëm të propagandës, u kujdes të etiketonte si “Fashistë” dhe “Hajvanë” qytetarët që kanë rrethuar selinë e qeverisë prej 14 ditësh.

Në vend që të dëgjonte zërin e tyre, ai shprehu “shqetësim” për ndikimin e protestave në turizëm dhe anulimin e rezervimeve. Kryeministri harron me vetëdije se me qindra turistë të huaj po vijnë në Shqipëri dhe po u bashkohen shesheve pikërisht për të përjetuar dhe mbështetur këtë reagim unik qytetar që kërkon largimin e tij.

Me të njëjtën arrogancë, ai tentoi të manipulonte realitetin duke pretenduar se “Vlora masivisht e do zhvillimin” dhe nuk proteston. Por historia e afërt e përgënjeshtron: ishin pikërisht vlonjatët që pushtuan bashkinë për ujin e pijshëm dhe ishte pikërisht në Vlorë ku u ndez shkëndija e parë për Zvërnecin, e cila sot ka bërë që i gjithë vendi të thërrasë në kor: “Rama ik!”

Më e neveritshme akoma mbetet përpjekja e tij për të shpërndarë përgjegjësinë duke u ankuar për “bullizëm” në rrjetet sociale, ndërsa nuk pranon dot se mijëra mesazhet kundër tij vijnë nga një popull i lodhur nga një qeverisje në shërbim të bandave. Duke krahasuar protestuesit me ekstremistët e “Agimit të Artë”, Rama deklaroi:

“Fryma fashiste është fryma që thotë: ‘Shqipëria është e shqiptarëve’… Është e patolerueshme që një konglomerat t’i imponohet pjesës tjetër… Kjo ndalet duke mos u tërhequr përpara këtyre lloj presioneve dhe përpara këtyre lloje hajvanëve.”

Kur kreu i qeverisë arrin të quajë “hajvanë” dhe “fashistë” qytetarët e tij që kërkojnë të drejtat më bazike, bëhet e qartë se verbimi i pushtetit ka arritur pikën kritike. Ai e kupton se ngrehina e patronazhistëve dhe e bandave nuk e mbron dot më përballë një populli që ka zgjedhur rrugën më qytetare në botë për t’i treguar derën.

Qytetarët nuk kanë dalë thjesht në një fushëbetejë.

Ata e kuptuan se një njeri i vetëm vazhdon të mbajë peng një popull dhe një rini të tërë duke mbyllur veshët, “Revolucioni i flamingove”  tregon se limiti ka arritur.

Mesazhi i shesheve është i prerë dhe nuk ka nevojë për interpretim: ky brez nuk pranon më të jetë i përjashtuar nga e ardhmja e vendit të vet.

Dhe kjo vetëdije peshon shumë më tepër se çdo lloj propagande, podkasti apo investimi në prona të grabitura me defterë Arturshehesh. Thjesht, o padishah, kjo protestë po të thotë troç dhe shqip: Me një grup bashibozukësh nuk mund t’i vjedhësh të ardhmen një kombi!

Tani ata janë zgjuar! Në vend të sallatës Çezar, do të kujtohesh ndoshta për “çorbën e Edit” që gatove në kurriz të popullit më të varfër në Europë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.