E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Edi Rama kallëzohet në SPAK: “Albanian Files” dhe tre projektet nën hetim
Lajme

Edi Rama kallëzohet në SPAK: “Albanian Files” dhe tre projektet nën hetim

Rreth 170 qytetarë që kanë marrë pjesë në protestat e zhvilluara së fundmi kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj kryeministrit Edi Rama. Në kallëzim kërkohet nisja e një hetimi mbi dokumentacionin e bërë publik në kuadër të dosjes së njohur si “Albanian Files”.

Kërkesa për hetim nuk kufizohet vetëm te kryeministri. Kallëzuesit kërkojnë që verifikimet të shtrihen edhe ndaj çdo zyrtari publik, funksionari apo subjekti privat që mund të ketë pasur rol në planifikimin, financimin, miratimin apo zhvillimin e projekteve të përmendura në material.

Në kallëzim kërkohet hetimi i veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Grupit të strukturuar kriminal”.

Sipas kallëzuesve, dokumentacioni i paraqitur përmban akte administrative, dokumente të planifikimit, vendime institucionale dhe materiale teknike që lidhen me projekte me ndikim të drejtpërdrejtë në territor, mjedis, pronësinë private, trashëgiminë kulturore dhe zonat e mbrojtura.

Në materialin e depozituar përmenden konkretisht tre zona dhe projekte: Baks-Rrjoll, ku parashikohet projekti turistik “Blue Borgo” në territorin e Bashkisë Shkodër; Divjakë-Karavasta, brenda territorit të Parkut Kombëtar; si dhe Zvërneci, pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë.

Çfarë kërkohet të hetojë SPAK?

Kallëzuesit pretendojnë se në këto raste mund të ketë elemente të përbashkëta në mënyrën se si janë planifikuar, shqyrtuar dhe miratuar projektet. Për këtë arsye, SPAK-ut i kërkohet të verifikojë nëse janë respektuar procedurat ligjore dhe nëse shkeljet e pretenduara kanë qenë të përsëritura.

Një pjesë e rëndësishme e kallëzimit lidhet me procedurat e planifikimit territorial, ndryshimet apo përshtatjet e instrumenteve të planifikimit, konsultimin me publikun, transparencën administrative, vlerësimin e ndikimit në mjedis, mbrojtjen e zonave të veçanta dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Në mënyrë të veçantë kërkohet të verifikohet nëse miratimi i një “rregulloreje të veçantë” për një projekt të caktuar, në vend të ndjekjes së procedurës standarde për hartimin e Planit të Detajuar Vendor (PDV), ka shërbyer për përshtatjen e instrumentit të planifikimit ndaj një projekti të përcaktuar paraprakisht.

Po ashtu, kërkohet të sqarohet nëse përpara Vendimit nr. 39/2024 janë përmbushur të gjitha hapat e kërkuar nga legjislacioni. Në këtë kuadër përfshihen nisja e procedurës për hartimin e PDV-së, njoftimi i publikut, konsultimi publik dhe kryerja e plotë e procedurës së Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM).

Në kallëzim i kushtohet vëmendje edhe përmasave të projektit, i cili sipas dokumentacionit të referuar shtrihet në më shumë se 1.4 milionë metra katrorë dhe parashikon mbi 550 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi mbi dhe nën tokë.

Statusi i investitorit strategjik

Një tjetër çështje që kërkohet të verifikohet është statusi i investitorit strategjik, i dhënë më 31 dhjetor 2024.

Kallëzuesit kërkojnë që SPAK të përcaktojë nëse ky status është dhënë mbi bazën e një vendimi të vlefshëm të Komitetit të Investimeve Strategjike dhe në përputhje me Ligjin nr. 55/2015, apo nëse është përdorur pa një bazë formale dhe të dokumentuar.

Në fokusin e hetimit kërkohet të jetë edhe roli i Edi Ramës në cilësinë e kryetarit të KKT-së/KKTU-së. Kallëzuesit kërkojnë të përcaktohet nëse ai ka marrë pjesë në miratimin e akteve që përcaktojnë kushte të veçanta urbanistike për një subjekt privat dhe nëse ushtrimi i këtij funksioni ka qenë në përputhje me parimin e paanësisë dhe detyrimin për mbrojtjen e interesit publik.

Prona dhe punimet para lejes së ndërtimit

Një tjetër pikë e kallëzimit lidhet me pronësinë mbi tokën ku parashikohet zhvillimi i projektit.

SPAK-ut i kërkohet të verifikojë titullin juridik të pronës dhe pretendimet e banorëve të Rrjollit për cenimin e të drejtës së pronësisë. Në këtë kuadër kërkohet shqyrtimi i procedurave të kalimit të pronësisë, vënies në dispozicion të pasurive shtetërore apo shpronësimit për projektin në Rrjoll, si dhe për projektin e lidhur me Velipojën.

Hetimi kërkohet të përfshijë edhe kohën kur kanë nisur realisht punimet, natyrën e ndërhyrjeve dhe përmasat e tyre përpara pajisjes me leje ndërtimi.

Sipas kërkesës së kallëzuesve, duhet të bëhet një krahasim mes datës së fillimit të punimeve dhe datës së vendimit për miratimin e lejes së ndërtimit, si dhe me momentin e lëshimit, publikimit dhe njoftimit të dokumentacionit në sistemin “e-Leje”.

Një tjetër element që kërkohet të verifikohet është nëse punimet e kryera përpara pajisjes me leje përputhen me projektin që është miratuar më pas. Kallëzuesit argumentojnë se një përputhje e tillë, nëse konfirmohet nga hetimi, mund të shërbejë si indicie për të përcaktuar nëse zbatimi faktik i projektit kishte nisur përpara përfundimit të procedurave ligjore për marrjen e lejes.

Tre projektet në fokus

Përmes kallëzimit, SPAK-ut i kërkohet të shqyrtojë në mënyrë të plotë dokumentacionin dhe procedurat që lidhen me projektet në Baks-Rrjoll, Divjakë-Karavasta dhe Zvërnec.

Kallëzuesit kërkojnë që të përcaktohet nëse në këto raste ka pasur shkelje të ligjit, favorizim të subjekteve të caktuara, shmangie të procedurave administrative apo veprime të koordinuara nga funksionarë publikë dhe subjekte private.

Në thelb, kërkesa synon që institucionet e drejtësisë të verifikojnë nëse proceset e planifikimit dhe zhvillimit të këtyre projekteve janë kryer në përputhje me ligjin dhe nëse interesi publik është respektuar gjatë çdo faze të procedurave.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.