E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“El Chapo” shqiptar merr leje për 3 kulla përmes ekonomistes dhe krushkut
Denoncime

“El Chapo” shqiptar merr leje për 3 kulla përmes ekonomistes dhe krushkut

Një shoqëri e panjohur, e krijuar me kapital minimal dhe pa asnjë aktivitet të dokumentuar, arrin të sigurojë leje për disa prej ndërtimeve më të larta në Tiranë.

Në dukje, “Hein–Invest” sh.p.k është pronë e një ekonomisteje të re, Arjola Hysa. Por në prapaskenë, sipas një sërë dokumentesh dhe lidhjesh të njohura, e gjithë skema të çon sërish te njeriu që SPAK e goditi në vitin 2022: Pashk Rrapi, i njohur me disa identitete dhe i konsideruar një nga emrat më të rrezikshëm të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Nga goditja e SPAK-ut te “ringjallja” e aktiviteteve

Qershori 2022 u shënua nga një operacion i bujshëm: sekuestrimi i pasurive të Pashk Rrapit dhe kompanisë së tij bazë, “Alesio 2014”. U ngrinë 22 prona, apartamente, llogari bankare dhe një flotë biznesesh që dyshohej se shërbenin për të larë miliona euro të ardhura nga trafiku i drogës.

Në letër, rrjeti i tij ekonomik u ndërpre. Në praktikë, aktiviteti duket se mori vetëm një kthesë taktike.

Arjola Hysa – nga ekonomiste në kompaninë e Rrapit, në aplikante për kulla gjigante

Katër muaj pas sekuestros, më 10 tetor 2022, në QKB shfaqet një kompani e re: “Hein–Invest”. Pronare dhe administratore, Arjola Hysa, 30 vjeçe, e njëjta ekonomiste që punonte te “Alesio 2014”.

Kompania  me një kapital qesharak –100 mijë lekë dhe për tre vite rresht nuk dorëzon asnjë bilanc financiar. As staf, as aktivitet, as prezencë në treg.

Megjithatë, kjo shoqëri në letër arrin më shumë se ç’kanë arritur investitorë realë:

Nëntor 2024 – Leja e parë

Kompleks me tre kulla 23, 25 dhe 27 kate, plus 3 kate nëntokë, në Sheshin “Shqiponja”.

Janar 2025 – Leja e dytë

Kompleks tjetër rezidencial me 24, 26 dhe 28 kate.

Të dyja lejet mbajnë firmën e agjencisë së drejtuar nga Adelajda Roka  drejtore e një institucioni ndër më të rëndësishmit në procesin e miratimit të ndërtimeve të mëdha. Ironia qëndron se dy vëllezërit e saj janë nën hetim nga SPAK për çështje të trafikut të drogës. Nuk ka një vendim gjyqësor që lidhet drejtpërdrejt me të, por përputhjet e interesave dhe mungesa e filtrimit financiar ngre pikëpyetje serioze.

Skema shtrihet edhe në Laprakë

Në Laprakë, në rrugën “Gjergj Legisi”, “Hein–Invest” merr përsipër një tjetër projekt të madh: një godinë 22-katëshe me 4 kate nëntokë. Dokumentet financiare të kompanisë tregojnë një fenomen paradoksal: me kapital fillestar minimal, shoqëria rezulton me detyrime dhe qarkullime të deklaruara në vlera marramendëse – rreth 19 miliardë lekë. Pikërisht kjo lloj fryrjeje artificiale është karakteristike për kompanitë guackë, të cilat përdoren për të justifikuar hyrjen e fondeve nga burime të paqarta.

Në skenë futet edhe krushku i Rrapit: “Guri Tower”

Histori të ngjashme shfaq kompaninë “Midha” sh.p.k, të themeluar në 2022 nga Viktor Kola, krushku i Rrapit. Pa bilance, pa staf, pa aktivitet të dokumentuar  dhe megjithatë, më 26 mars 2025, merr leje për projektin “Guri Tower”, një tjetër kullë që pritet të ndërtohet në Tiranë.

Pra, pas bllokimit të “Alesio 2014”:

  • ekonomistja e Rrapit merr në dorë projekte me 23–28 kate,

  • krushku i tij fiton leje për një tjetër kullë,

  • kompanitë që përdoren kanë të njëjtin profil: zero histori ekonomike, zero punonjës, zero kapital real.

Ligjërisht, SPAK ka ngrirë asetet e Rrapit. Faktikisht, aktiviteti duket se vazhdon përmes njerëzve që kanë qenë pjesë e rrethit të tij më të afërt.

Dilema kryesore: kush i financon këto kulla?

Sipas çdo norme financiare, një kompani që kërkon të ndërtojë projekte me vlerë dhjetëra milionë euro duhet të paraqesë:

  • bilance të qëndrueshme,

  • kapacitete pagueshmërie,

  • garanci reale,

  • dokumente për origjinën e fondeve.

“Asgjë nga këto” nuk ekziston në rastin e “Hein–Invest”, as në atë të “Midha”. Megjithatë, ato shfaqen në zonat më të shtrenjta të Tiranës si zhvilluese të kullave të reja.

Për ekspertët e pastrimit të parave, skema është e njohur: kapitali që nuk mund të kalojë më ligjërisht në emër të Pashk Rrapit, qarkullon përmes personave të varur financiarisht ose familjarisht prej tij.

Heshtja e protagonistëve dhe mungesa e filtrimit institucional

Për këtë histori janë kontaktuar Arjola Hysa dhe Viktor Kola. Të dy kanë zgjedhur të mos japin asnjë koment.

Por pyetjet e vërteta nuk mbarojnë te ta:

  • Si e verifikon Këshilli Kombëtar i Territorit kapacitetin financiar të aplikantëve?

  • Cila është procedura që ndjek agjencia e drejtuar nga Adelajda Roka për të filtruar projektet?

  • Pse struktura të ndryshme shtetërore pranojnë kërkesa nga kompani pa asnjë histori, ndërkohë që projektet e ndërtimit të mëdha konsiderohen ndër bizneset me riskun më të lartë për pastrim parash?

  • Pse SPAK nuk ndjek zinxhirin e ri të kompanive që lindën menjëherë pas sekuestrimit të asetetve të Rrapit?

Përfundimi: Tirana, laboratori i ndërtimit me para të pashpjeguara

Rasti i “Hein–Invest”, “Midha” dhe projekteve “Guri Tower” e “Shqiponja” tregon një model të qartë:

  • sekuestrimet nuk e ndalin rrjetin, thjesht e detyrojnë të ndërrojë emrat;

  • kullat shumëkatëshe shndërrohen në strehë perfekte për riciklim kapitalesh;

  • njerëz pa përvojë, pa histori biznesi dhe me lidhje të afërta me trafikantë të dënuar, papritur kthehen në zhvillues të projekteve me dhjetëra milionë euro.

Për aq kohë sa lejet miratohen pa transparencë dhe pa kontroll real mbi burimin e fondeve, ndërtimet e reja të Tiranës do të vazhdojnë të ndërtohen mbi para që askush nuk i verifikon.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.