Elton Alushi largohet nga drejtimi i Policisë së Tiranës
Dorëheqje në krye të Policisë së Tiranës. Elton Alushi ka vendosur të largohet nga detyra, duke dorëzuar dorëheqjen e tij përmes postës. Burime zyrtare bëjnë me dije se tashmë pritet vendimi përfundimtar nëse ajo do të pranohet ose jo nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Alushi u emërua në krye të Policisë së Tiranës në nëntor të vitit 2024, pas një gare të zhvilluar për herë të parë sipas ligjit të ri për policinë. Ai qëndroi në këtë detyrë për rreth një vit e gjysmë, duke drejtuar qarkun më të rëndësishëm në vend.
Para këtij pozicioni, Alushi ka mbajtur disa role të rëndësishme në strukturat e Policisë së Shtetit, përfshirë detyra si zv/drejtor qarku, shef sektori dhe shef komisariati. Emërimi i tij në krye të Policisë së Tiranës u konsiderua në atë kohë si një zgjedhje surprizë mes kandidatëve në garë.
Ai njihej gjithashtu si një nga njerëzit më të afërt të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili u largua nga detyra në fillim të muajit mars.
Gjatë periudhës së fundit, është vënë re një distancë mes Alushit dhe drejtuesit aktual të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Kjo u reflektua edhe në disa zhvillime operative, përfshirë aksionet kundër lojërave të fatit, ku në qarqe të tjera pati dorëheqje të menjëhershme, ndërsa në Tiranë një vendim i tillë u shty deri më tani.
Dorëheqja e Alushit vjen në një moment kur po zhvillohet gara për drejtuesit e qarqeve në Policinë e Shtetit, ku janë në garë dhjetëra kandidatë për poste kyçe në strukturat drejtuese. Ende nuk dihet nëse largimi i tij lidhet drejtpërdrejt me këtë proces apo me zhvillime të tjera brenda institucionit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



