Emigrantët, The Guardian: Tensione mes qeverive të Tiranës dhe Londrës
Sekretari britanik i Shëndetësisë, Wes Streeting, ka pranuar se nuk ndihet i qetë me idenë e dëbimit me forcë të familjeve shqiptare sipas planit të ri të sekretares së brendshme, Shabana Mahmood. Megjithatë, ai theksoi se masa është e nevojshme, pavarësisht kundërshtimeve të dhjetëra deputetëve laburistë.
Streeting u shpreh se pret që numri i dëbimeve të detyruara të jetë i ulët, duke iu referuar modelit danez. Sipas tij, stimulimet financiare për rikthim vullnetar do të nxisin emigrantët të kthehen pa ndërhyrje të detyruar.
“Sinqerisht? Rehat? Jo. Por a është gjëja e duhur për vendin? Po”, deklaroi ai për LBC. Sipas tij, Mahmood po siguron që personat pa të drejtë qëndrimi të riatdhesohen duke u ofruar mbështetjen e duhur, në mënyrë që dëbimet me forcë të jenë minimale.
Reagimi i Edi Ramës: “Retorikë e turpshme dhe stereotipizim etnik”
Politika e re shkaktoi reagime të ashpra nga Tirana. Kryeministri Edi Rama akuzoi Shabana Mahmood për “demagogji të pahijshme” dhe “stereotipizim etnik”, pasi stafi i saj kishte identifikuar rreth 700 familje shqiptare për dëbim.
“Si mundet një sekretare e brendshme laburiste të përsërisë retorikën e populistëve të ekstremit të djathtë dhe të veçojë 700 familje shqiptare?”, shkroi Rama në X. Ai theksoi se shqiptarët janë kontribuues neto në ekonominë britanike dhe se përdorimi i komunitetit shqiptar si shembull dëmton partneritetin mes dy vendeve.
Sipas The Guardian, brenda Whitehall ka shqetësim për tensionet në rritje me Shqipërinë, e cila mbetet një partner i rëndësishëm në luftën kundër migracionit të paligjshëm.
Laburistët përballen me revoltë të brendshme
Keir Starmer dhe Shabana Mahmood po përballen me pakënaqësi të rritura në parti, veçanërisht nga krahu i majtë, i cili paralajmëron për pasojat e dëbimit të familjeve që refuzojnë kthimin vullnetar.
Ndërkohë, ekspertët vlerësojnë se qeveria po përdor komunitetin shqiptar për të justifikuar ndryshimet në interpretimin e të drejtave familjare sipas Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Andi Hoxhaj nga Royal United Services Institute u shpreh se kjo taktikë ngjan me politikën e ish-qeverisë konservatore dhe se Mahmood po i përgjigjet presioneve të Nigel Farage, i cili ka sulmuar shpesh komunitetin shqiptar në deklaratat publike.
700 familje shqiptare në fokus
Sipas Home Office, rreth 700 familje shqiptare jetojnë aktualisht në akomodime të financuara nga taksapaguesit, ndonëse kërkesat e tyre për azil janë refuzuar. Këto familje nuk janë prioritetizuar deri më tani për kthim, por qeveria britanike thotë se situata do të ndryshojë.
Mahmood deklaroi se “duhet të largojmë ata që kanë dështuar në kërkesat për azil, pavarësisht kush janë”, duke argumentuar se Shqipëria konsiderohet vend i sigurt dhe ekziston një marrëveshje e qartë riatdhesimi.
Ndërkohë, mbërritjet e shqiptarëve me gomone në Britani kanë rënë me mbi 90% që prej vitit 2022.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



