EMRI/ U plagos pas sherrit për një vajzë, vdes në spital 45-vjeçari
Ka ndërruar jetë Denis Çumani, 45 vjeç, banor i Shijakut, i cili prej disa ditësh ndodhej i shtruar në spital në gjendje kritike, pasi ishte plagosur me armë zjarri në hyrje të banesës së tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës, më 27 janar, kur dy persona shkuan në shtëpinë e Çumanit dhe e sulmuan fillimisht fizikisht. Më pas, njëri prej tyre hapi zjarr, duke e qëlluar 45-vjeçarin, ndërsa plumbi i përshkoi trupin, duke i shkaktuar plagë shumë të rënda.
Sipas hetimeve paraprake, autorë të dyshuar të ngjarjes janë dy kushërinj, Dorian dhe Indrit Ferra, të cilët aktualisht janë shpallur në kërkim nga Policia.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se konflikti ka pasur si shkak një lidhje sentimentale. Çumani dyshohet se i kishte dërguar mesazhe një vajze, e cila ndodhej në një marrëdhënie me Dorian Ferrën. Kjo situatë ka sjellë tension mes palëve.
Pak ditë para ngjarjes, vajza ishte takuar me Dorian Ferrën në një ambient publik, ku gjatë qëndrimit ajo kishte marrë sërish mesazhe nga Çumani, të cilat janë vënë re nga Ferra. Pas shoqërimit të saj në banesë, ai ka marrë kushëririn Indrit dhe të dy janë drejtuar drejt shtëpisë së 45-vjeçarit, ku ndodhi edhe përplasja fatale.
Policia po vijon kërkimet për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa hetimet po zhvillohen për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



