E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Enea Karakaçi dhe Ami Kozeli ndjekin “gjurmët” e Belinda Ballukut
Lajme

Enea Karakaçi dhe Ami Kozeli ndjekin “gjurmët” e Belinda Ballukut

Firmosin 1.5 mln euro shtesë për fazën e dytë

A po kthehet investimi Tiranë – Durrës në “déjà vu” të tenderave të Unazës së Madhe të Tiranës?

Një tjetër kontratë rrugore me kosto të fryrë po ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën e menaxhimit të tenderëve publikë në vend. Pas hetimeve që përfshinë ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, ku nën akuzë janë vendosur ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe Gentian Gjyli, një rast i ri me elementë të ngjashëm duket se po shfaqet në zgjerimin e superstradës Tiranë–Durrës.

Sipas dokumenteve zyrtare të analizuara, drejtuesit aktualë të ARRSH-së, Ami Kozeli dhe ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, kanë miratuar një shtesë kontrate për fazën e dytë të këtij projekti, një segment që duhej të ishte përfunduar dhe dorëzuar sipas kushteve fillestare. Në vend të penaliteteve apo zbatimit të garancive kontraktuale, është zgjedhur rruga e shtesës financiare.

Në një njoftim të datës 24 korrik 2026, Autoriteti Rrugor Shqiptar konfirmon modifikimin e kontratës për projektin “Zgjerimi i superstradës Tiranë–Durrës, faza II”. Vlera shtesë e miratuar arrin në 145,253,295 lekë, ose rreth 1,549,008 euro, duke rritur më tej koston totale të investimit.

Njoftimi i ARRSH për shtesën e kontratës në fazën e II-të, e cila është “përuruar” disa herë
Njoftimi i ARRSH për shtesën e kontratës në fazën e II-të, e cila është “përuruar” disa herë

Paralelizmat me çështjen e Unazës së Madhe janë të dukshme. Edhe në këtë rast, procedurat e ndjekura ngjajnë me një skemë të përsëritur, ku përmes skualifikimit të operatorëve dhe shtesave të njëpasnjëshme të kontratave, fondet publike rriten ndjeshëm përtej vlerës fillestare.

Dokumentet e vitit 2024 tregojnë se për fazën e dytë të zgjerimit të autostradës Tiranë–Durrës, shteti shqiptar ka shpenzuar rreth 1,786,939,479 lekë, ekuivalente me afro 19 milionë euro. Fitues i këtij tenderi rezulton një bashkim operatorësh ekonomikë i përbërë nga “ELMAZAJ KONSTRUKSION”, “NDERTIMI” dhe “NDREGJONI”, me drejtim nga kompania ELMAZAJ. Të gjitha kompanitë e tjera pjesëmarrëse janë skualifikuar, duke ngritur dyshime të forta mbi transparencën dhe konkurrencën e procedurës.

Tenderi i fazës së II-të të zgjerimit Tiranë – Durrës, i fituar nga një bashkim operatorësh me në krye Elmazaj
Tenderi i fazës së II-të të zgjerimit Tiranë – Durrës, i fituar nga një bashkim operatorësh me në krye Elmazaj

Shtesa e fundit financiare për të njëjtin projekt ngre pikëpyetje serioze: a kemi të bëjmë me një praktikë të përsëritur favorizimi dhe menaxhim të dyshimtë të fondeve publike? Në një kohë kur për tenderët e Unazës së Madhe janë ngritur akuza për shpërdorim detyre dhe favorizim kompanish, rasti i zgjerimit të aksit Tiranë–Durrës duket se ndjek të njëjtin model.

Elementë të tillë, nga skualifikimet masive deri te shtesat e njëpasnjëshme të kontratave, mbeten në fokusin e verifikimeve, ndërsa mbetet për t’u parë nëse organet e drejtësisë do të ndjekin të njëjtën linjë hetimi si në rastet e mëparshme dhe do të zbardhin plotësisht rrjedhën e këtyre fondeve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.