Equos Resort i ‘bosëve të AKSH-it’ jepet me qira për 3.400 € në muaj
Prona e njohur si selia dhe aktiviteti i biznesmenit Ergys Agasi, e identifikuar si ish “Panto” apo “Equos Resort”, është nxjerrë zyrtarisht me qira.
Aktualisht, kjo pronë figuron në pronësi të biznesmenëve Klodian Shehi dhe Shkëlqim Hoxha, ndërkohë që prej disa javësh është marrë në administrim nga shteti, pas sekuestrimit të saj.
Aseti është sekuestruar në kuadër të hetimeve të njohura si dosja “AKSHI”, ndërsa në ambientet e resortit janë ushtruar disa kontrolle nga autoritetet për gjetjen e provave. Në lidhje me këtë hetim është vendosur masë sigurie edhe për biznesmenin Ergys Agasi.
Sipas të dhënave të OpenData, në origjinë kjo pronë ka qenë në zotërim të biznesmenëve Klodjan Allajbeu dhe Arbër Shtylla.
Referuar çmimit zyrtar, prona jepet me qira për 3 milionë e 240 mijë lekë të vjetra, që korrespondojnë me rreth 3400 euro sipas kursit aktual.
Në paketën e qirasë përfshihet edhe aktiviteti tregtar i resortit, duke përfshirë një pishinë luksoze dhe ambientet përkatëse të shërbimit.






Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



