Erion Braçe nxjerr bllof Edi Ramën për Reformën Territoriale
“Nuk është diskutuar me deputetët“
Deputeti socialist Erion Braçe ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet diskutimi brenda mazhorancës për Reformën Administrative-Territoriale, duke deklaruar se deputetët nuk janë përfshirë ende në një diskutim të plotë për ndryshimet që pritet të bëhen.
Në një intervistë për emisionin “ÇdoKënd” në A2 CNN, Braçe tha se mund të ketë pasur diskutime mes kryeministrit dhe drejtuesve politikë të qarqeve, por sipas tij deputetët nuk janë ulur ende për të diskutuar në mënyrë të plotë reformën.
Madje, ai tha se edhe për ndarjen e re të kufijve territorialë është informuar përmes mediave.
“Reforma Territoriale mund të jetë diskutuar në ato takime që kryeministri ka bërë me drejtuesit politikë të qarqeve dhe natyrisht pastaj edhe në këto takimet që janë bërë me kuorume të caktuara në territor. Me deputetët jo. Unë e kam marrë vesh ndarjen e kufijve nga media, por ama që të jetë bërë një diskutim i plotë për reformën ende nuk është bërë”, deklaroi Braçe.
Sipas tij, në proces nuk duhet të dëgjohen vetëm deputetët që kanë qenë pjesë e komisionit të reformës apo drejtuesit politikë të qarqeve. Braçe argumentoi se edhe deputetë të tjerë mund të kontribuojnë për shkak të eksperiencës profesionale ose njohjes së problematikave të zonave që përfaqësojnë.
Braçe: Reforma nuk duhet të reduktohet te bashkitë që shkrihen
Një pjesë e rëndësishme e kritikës së deputetit socialist lidhet me mënyrën se si është fokusuar debati publik deri tani.
Sipas Braçes, diskutimi është përqendruar kryesisht te pyetja se cilat bashki apo njësi vendore do të shkrihen, ndërkohë që çështja kryesore duhet të jetë se çfarë kompetencash do të kenë pushtetet vendore pas reformës.
“Debati është impostuar gabim. Debati duhet të shkojë te kompetencat”, u shpreh ai, duke kërkuar që decentralizimi të shtrihet edhe te mënyra se si përdoren fondet kombëtare dhe jo vetëm fondet që lidhen me Bashkimin Europian.
Braçe ka ngritur të njëjtën çështje edhe në deklarime të mëparshme, duke argumentuar se reforma nuk duhet të mbetet e kufizuar te ndryshimi i hartës territoriale, por duhet të shoqërohet me delegim më të madh të pushtetit nga qeveria qendrore te pushteti vendor.
“Thelbi i reformës janë kompetencat”
Deputeti socialist e lidhi debatin edhe me ndarjen e përgjegjësive mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor.
Ai tha se qeveria qendrore mund të vazhdojë të përcaktojë politikat arsimore, kurrikulën dhe standardet e kontrollit të cilësisë, por një pjesë më e madhe e vendimmarrjes duhet t’u delegohet strukturave vendore.
Sipas Braçes, decentralizimi nuk duhet të ndalet vetëm te bashkitë. Ai kërkoi që kompetencat të zbresin më tej, deri te njësitë administrative dhe strukturat më pranë qytetarëve.
“Qeveria qendrore patjetër mund të mbajë politikat arsimore, mund të mbajë kurrikulën dhe natyrisht mund të mbajë edhe kontrollin mbi cilësinë e këtij arsimi. Duhet që qeveria qendrore të lëshojë masivisht pushtet tek pushteti vendor”, deklaroi ai.
Në këtë kuadër, Braçe kundërshtoi edhe qasjen që e sheh reformën kryesisht përmes hartës së re dhe bashkimit të njësive.
“Çdo gjë është impostuar ‘do shkrihet kjo, do shkrihet ajo’. Thelbi i gjithë kësaj reforme janë kompetencat”, u shpreh deputeti.
Debati për reformën territoriale vijon ndërkohë në kuadër të konsultimeve me njësitë vendore. Vetë kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takime në qarqe për ndryshimet e propozuara, duke argumentuar se riorganizimi nuk duhet të nënkuptojë humbjen e shërbimeve për banorët e njësive që mund të preken nga ndryshimi i hartës.
Për Braçen, megjithatë, çështja kryesore mbetet mënyra se si do të ndahet pushteti dhe kompetencat pas reformës, përtej ndryshimit të kufijve të njësive vendore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



