E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Erion Braçe shkon të vizitohet në QSUT dhe mahnitet nga ministrja e re
Lajme

Erion Braçe shkon të vizitohet në QSUT dhe mahnitet nga ministrja e re

Deputeti Erion Braçe ka qenë këtë të hënë në QSUT për një vizitë mjekësore, ndërsa gjatë qëndrimit në spital ka mësuar se ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ndodhej aty për një mbledhje pune me drejtuesit e institucionit.

Braçe shprehet se prania e ministres, drejtoreshës së QSUT-së dhe drejtuesve të shërbimeve mjekësore në një takim të përbashkët i ka dhënë besim, duke e vlerësuar fokusin te problematikat dhe nevojat e qendrës më të madhe spitalore në vend.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, deputeti socialist tregon se kishte shkuar në QSUT si qytetar, për një nevojë mjekësore, dhe jo në cilësinë e deputetit.

“Sot në mëngjes isha në QSUT si qytetar për një nevojë mjekësore, jo si deputet.

Aty mësova që prej orës 8.00-8.15, ministrja e Shëndetësisë, drejtoresha e QSUT, drejtuesit e Shërbimeve në QSUT, ishin në mbledhje pune;

Sinqerisht u ndjeva mirë-ata që drejtojnë qendrën më të madhe të shërbimeve mjekësore-terciare në vend, ishin bashkë për punën, shërbimin, mungesat, shqetësimet e tjera, shërbimin, zgjidhjet; aty ishin të gjithë aktorët bashkë e kjo jep besim!”, shkruan Braçe.

Deputeti ndalet më pas te disa prej vendimeve të ministres së re të Shëndetësisë, të cilat thotë se i ka vlerësuar që prej emërimit të saj në këtë detyrë.

Sipas Braçes, një prej tyre është lirimi nga detyra i drejtueses së Operatorit Shëndetësor, institucion që, sipas tij, ishte krijuar me synimin për të zhvilluar si shërbim publik një aktivitet që për vite me radhë ishte ofruar nga sektori privat.

Ai përmend gjithashtu anulimin e një procedure prokurimi, të cilën e konsideron si vijim të një modeli ku shërbimi i ofruar nga privati do të vazhdonte t’i jepej sërish një subjekti privat.

“Shikoni, klientelizmi ishte, është ende, sëmundja më e rëndë në administrim të shërbimit shëndetësor në Shqipëri;

Posaçërisht në QSUT, ku dëmi që klientelizmi bën është shumë më i madh”, shprehet Braçe.

Deputeti argumenton se problematika lidhet edhe me mënyrën se si përdoren fondet publike në sektorin e shëndetësisë. Ai thotë se Shqipëria nuk shpenzon pak për këtë sektor dhe se në diskutimet për buxhetin ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për efektivitetin e përdorimit të këtyre fondeve.

Sipas tij, problem mbetet veçanërisht mënyra e prokurimit të barnave, mjeteve dhe pajisjeve mjekësore, si dhe shërbimeve të ndryshme.

“Ne nuk japim pak para në shëndetësi, nuk janë fare pak para; sa herë është diskutuar buxheti i shtuar, kam ngritur shqetësimin e efektivitetit në përdorimin e këtyre parave; klientelizmi në marrjen e mallrave-kryesisht barna e mjete e pajisje mjekësore, shërbime gjithashtu, ka ngrënë pa të drejtë e në shkelje të ligjit, para publike!”, shkruan ai.

Në përfundim, Braçe shprehet se një ndarje e qartë nga praktikat që ai i cilëson si klienteliste do të ndikonte, sipas tij, në përmirësimin e furnizimeve dhe shërbimeve shëndetësore për qytetarët.

“Ndarja e fortë dhe e qartë me klientelizmin, do përmirësojë furnizimet, shërbimet për njerëzit prej tyre!”, përfundon deputeti.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.