Ervin Hoxha, Shalsi dhe ministri Lamallari goditen me vezë
Tensionet para Parlamentit kanë vijuar me momente të forta, ku deputetët e Partisë Socialiste, Ervin Hoxha dhe Eduard Shalsi, janë përballur me protestën e qytetarëve të mbledhur pranë godinës së Kuvendit.
Teksa po lëviznin në këmbë në zonën e Pedonales, dy deputetët socialistë janë qëlluar me vezë nga protestuesit, të cilët i kanë akuzuar me thirrje për qëndrimet e tyre politike.
“O tradhtarë”, kanë thirrur disa prej protestuesve gjatë momentit të përplasjes.
Aksioni me vezë ka vijuar më tej ndaj përfaqësuesve të mazhorancës, ku në shënjestër të protestuesve ka qenë edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Ministri ishte duke u drejtuar drejt ambienteve të Ministrisë së Brendshme kur disa aktivistë e kanë qëlluar nga distanca me vezë.
Situata është tensionuar edhe më shumë pasi një prej personave shoqërues të ministrit ka tentuar të ndjekë protestuesit duke kaluar përtej barrierave metalike të vendosura nga policia.
Ndërkohë, aktivistët kanë vijuar të hedhin vezë në drejtim të përfaqësuesve të qeverisë, duke e kthyer këtë formë proteste në një nga momentet më të komentuara të tubimit para Parlamentit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



