Erzeni i Ministrisë së Arsimit me rrogë 10 mijë euro

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Dhe një mal me akuza për abuzime nga KLSH

Erzen Tola, i akuzuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shkelje të rënda ligjore dhe për të cilin është kërkuar zyrtarisht largimi nga shërbimi civil, vijon të mbajë postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit.

Ishte fillimisht ministrja Ogerta Manastirliu, e cila kur ishte në krye të Arsimit, ka refuzuar të zbatojë rekomandimet e KLSH-së, duke e mbajtur Tolën në detyrë.

Tola, sipas raportit të KLSH-së, rezulton të jetë i përfshirë në një sërë shkeljesh ligjore, por sërish vazhdon të qëndrojë në detyrë, duke ngritur dyshime mbi ndikimin dhe mbrojtjen që gëzon brenda strukturave të Ministrisë. Kjo pasi, edhe pse tashmë në krye të këtij institucioni është caktuar Mirela Kumbaro, sërish Tola vijon të mbajë postin.

Në dokumentin zyrtar të KLSH-së, rekomandohet qartë masa disiplinore “largim nga shërbimi civil” për Erzen Tolën, megjithatë, të dy ministret e Arsimit e kanë bllokuar këtë proces, duke e mbajtur Tolën si një “ushtar besnik” për interesa politike.

Sipas audituesve të KLSH-së, shkeljet lidhen me moskryerjen e detyrave funksionale në kohë, vonesat ose mungesën e inicimit të proceseve gjyqësore për rikthimin e fondeve të përfituara nga studentë dhe nëpunës civilë në shkelje të kontratave, si dhe me keqadministrimin e mbështetjes financiare për studentët e ekselencës.

MASA DISIPLINORE

Mbështetur në nenin 59, pika 4, shkronja “a” dhe “b”, të ligjit nr. 152/2013, datë 30.05.2013, “Për nëpunësin civil” i ndryshuar dhe VKM nr. 115, datë 05.03.2014, “Për përcaktimin e procedurës disiplinore dhe të rregullave për krijimin, përbërjen e vendimmarrjen në komisionin disiplinor në shërbimin civil”, I rekomandojmë Ministrit të Arsimit dhe Sportit në vlerësim të parregullsive të konsideruara nga ana jonë, sipas pikës 1 shkronja “a” dhe “b” të nenit 57 të ligjit nr. 152/2013, të urdhërojë fillimin e procedurave përkatëse për shqyrtimin dhe dhënien e masave disiplinore për personat përgjegjës në procesin e mbështetjes financiare të studentëve të shkëlqyer dhe nëpunësve civilë të administratës shtetërore dhe për mos kryerje të detyrave funksionale në kohë dhe inicimin me vonesë ose fare të proceseve gjyqësore për kthimin e lekëve të marra nga përfituesit e Fondit të Ekselencës në buxhetin e shtetit në shkelje të detyrimeve kontraktuale, të trajtuara në mënyrë të detajuar në Raportin Përfundimtar të Auditimit, në proporcion me shkeljet sipas nenit 58, shkronja “b”,”c” dhe “ç” të ligjit. nr. 152/2013, datë 30.05.2013, “Për nëpunësin civil”, e konkretisht:

PËR PUNONJËSIT NË MARRËDHENIE PUNE

Z. Erzen Tola Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ish/drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore për Arsimin dhe Sportin, dhe në rolin e Kryetarit të STP, sipas urdhrit të Ministrit të MAS, nr. 194, datë 19.05.2015, Largim nga shërbimi civil sipas nenit 58 pika ç;

Por pvarësisht akuzave të rënda të ngritura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe kërkesës zyrtare për largimin e tij nga shërbimi civil, Erzen Tola vijon të mbetet në detyrë. Qëndrimi i tij në poste kyçe, pa asnjë masë disiplinore të ndërmarrë, ngre dyshime për mbrojtje politike ndaj tij./ Boldnews

Publikuar nga Publik Media