Eurodeputeti akuza Ramës: Përdor familjarët për të transportuar para
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rikthyer në qendër të debatit publik një deklaratë të bërë së fundmi nga eurodeputeti çek Tomas Zdeçovski, e cila sipas tij përbën një akuzë të rëndë ndaj kryeministrit Edi Rama.
Gjatë një komunikimi me gazetarët nga selia e Partisë Demokratike, Berisha u ndal te pretendimet e ngritura nga europarlamentari, i cili ka deklaruar në një intervistë televizive se Rama përdor persona të afërt për të transportuar para jashtë Shqipërisë.
Sipas Berishës, kjo deklaratë shënon një moment të pazakontë në raport me mënyrën se si përfaqësues të institucioneve europiane adresojnë drejtues të vendeve anëtare apo aspirante për integrim.
Ai theksoi se eurodeputeti ka ngritur dyshime serioze për një aktivitet që lidhet me ndjekjen e parave, duke nënkuptuar se bëhet fjalë për fonde që mund të kenë burim të paligjshëm, përfshirë sipas tij edhe të ardhura nga aktivitete kriminale.
Berisha e cilësoi këtë deklaratë si një “aktakuzë personale” ndaj kryeministrit dhe rrethit të tij familjar, duke shtuar se raste të tilla janë artikuluar më herët vetëm për figura autoritare dhe jo për liderë të vendeve europiane.
Në vijim, ai theksoi se sipas eurodeputetit, ekziston një vëmendje e shtuar për ndjekjen e lëvizjes së parave, çka sipas tij përforcon seriozitetin e pretendimeve të ngritura.
“Sot jam këtu për deklaratën e deputetit të Parlamentit Europian, Tomas Zdeçovski, i cili denoncoi dje në një nga mediat e Tiranës, Edi Ramën si njeriun që përdor familjarët e tij për të transportuar para jashtë shtetit.
Zoti Zdeçovski thekson se ne po ndjekim paratë. Po ndjekim këtë veprimtari kriminale të Edi Ramës me paratë e grabitura shqiptarëve ose paratë e trafikantëve shqiptarë.
Kjo deklaratë në Parlamentin Europian është bërë vetëm për diktatorë të tipit Gedafi dhe jo ndonjëherë tjetër për ndonjë lider të një vendi të lirë europian.
Deklarata e europarlamentarit në mediat shqiptare është aktakuza më e rëndë që i bëhet personalisht Edi Ramës dhe familjarëve të tij nga një personalitet i shquar në Parlamentin Europian, i cili shprehet se po ndjekim paratë”,-tha Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



