Eurodeputetja italiane ‘shkund’ Ramën: S’futesh në BE duke iu gjunjëzuar Melonit
Nga protesta e 30-të e zhvilluar para Kryeministrisë, eurodeputetja italiane Cristina Guarda ka artikuluar një qëndrim të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama, duke vënë theksin te mënyra se si, sipas saj, duhet të sillet një lider në raport me qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Gjatë fjalës së saj përpara protestuesve, Guarda theksoi se rruga drejt Bashkimit Europian nuk kalon përmes nënshtrimit, por përmes dinjitetit dhe respektimit të qytetarëve. Ajo kërkoi gjithashtu që institucionet europiane të tregojnë vëmendje ndaj situatës në Shqipëri dhe të dëgjojnë zërin e qytetarëve.
Në deklaratën e saj, eurodeputetja ndaloi edhe te një gjest i kryeministrit Edi Rama ndaj homologes italiane Giorgia Meloni, duke e përdorur si shembull për të ilustruar qëndrimin e saj mbi dinjitetin institucional.
“Komisioni Europian nuk mund të jetë e verbër dhe duhet të shikojë të vërtetën dhe të kërkojë që Edi Rama dhe çdo politikan tjetër të dëgjojë dhe t’ju respektojë.
Unë jam italiane dhe dua t’ju falënderoj juve dhe diasporën shqiptare në Itali, po luftojnë për ju dhe për ne.
Faleminderit për të gjithë shqiptarët nëpër botë. Si italiane kam një imazh para meje, kryeministri juaj (Edi Rama) që iu ul në gjunjë kryeministres time (Giorgia Meloni). Kryeministri i një vendi nuk i ulet në gjunjë askujt, përveç popullit të tij.
Në Bashkimin Europian nuk futesh duke u ulur në gjunjë, nuk hyhet në BE si shërbëtorët e dikujt, në Europë hyhet me kokën lart, duke e merituar dhe duke ditur që do të luftojmë për mirëqenien tonë”, tha ajo.
Fjalimi i saj u prit me reagime nga protestuesit, ndërsa mesazhi i saj u fokusua te nevoja për më shumë përgjegjshmëri politike dhe respekt ndaj qytetarëve si kusht thelbësor për integrimin europian të Shqipërisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



