Faqja e kryebashkiakes kalon çdo limit me ofendime ndaj qytetares
Një episod i pazakontë dhe shqetësues po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale, pasi një screenshot tregon një komunikim të papërshtatshëm nga një faqe zyrtare e lidhur me Bashkinë e Përmetit ndaj një qytetareje.
Bëhet fjalë për faqen “Bashkësia Përmet”, e cila në vend që të reflektojë standarde institucionale komunikimi, është përfshirë në një replikë fyese në seksionin e komenteve. Në përgjigje ndaj një komentueseje, nga kjo faqe është përdorur shprehja denigruese: “ti moj fisq*re, kujdes me fjalorin!”*.

Ky reagim ka ngjallur reagime të shumta, duke u konsideruar si një shkelje e etikës së komunikimit publik dhe një sjellje që nuk përputhet me standardet që priten nga një platformë institucionale.
Faqja në fjalë është kritikuar shpesh nga qytetarët për qasjen e saj mbështetëse ndaj drejtimit të bashkisë, duke promovuar në mënyrë të vazhdueshme aktivitetet dhe punën e kryebashkiakes Alma Hoxha. Megjithatë, ky rast ka ngritur pikëpyetje më të forta mbi mënyrën e menaxhimit të komunikimit publik dhe mbi personat që qëndrojnë pas administrimit të saj.
Reagimet në rrjet kanë qenë të menjëhershme, me qytetarë që kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi institucionale për një gjuhë që konsiderohet e papranueshme në hapësirën publike.
Ngjarja pritet të sjellë diskutime më të gjera mbi etikën e komunikimit të institucioneve dhe përdorimin e rrjeteve sociale nga organet publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



