Fermeri denoncon skandalin: Plehu kimik ‘Urea’ po na shkatërron tokën
“Produkt i dëmshëm, pa efekt dhe me çmim abuziv”
Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Publik.al ngre shqetësime serioze mbi cilësinë dhe çmimin e një plehu kimik të llojit urea, i cili sipas qytetarit përdoret gjerësisht në tregun bujqësor në vend.
Sipas denoncuesit produkti në fjalë është përdorur në pemëtoret e tij, ku ai thotë se ka investuar “mundin e jetës”. Por në vend të rendimentit të pritshëm, ai pretendon se plehu ka sjellë pasoja negative në tokë.
“Ky produkt nuk jep rendimentin e duhur. Përkundrazi, dëmton realisht shumë tokën, e cila do vite që të pastrohet dhe të marrë veten”, shprehet ai në mesazhin drejtuar redaksisë.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me çmimin. Sipas qytetarit, plehu është tregtuar me një vlerë rreth tre herë më të lartë nga ajo që ai pretendon si çmimi real i tregut. “Ky produkt kushton vetëm 25 mijë lekë të vjetra kuintali, ndërsa ne e kemi blerë 78 mijë lekë të vjetra”, thuhet në denoncim.
Ai shton se produkti në fjalë shitet gjerësisht në farmaci bujqësore dhe pika të ndryshme shitjeje, duke ngritur shqetësimin se mund të ketë prekur një numër të madh fermerësh.
Denoncuesi i bën thirrje institucioneve dhe mediave që të ndërhyjnë për të verifikuar rastin, duke theksuar se ndjehet i pambrojtur dhe pa një adresë ku të kërkojë zgjidhje.
Ky rast rikthen në vëmendje nevojën për kontroll më të rreptë të cilësisë së inputeve bujqësore në treg, si dhe transparencë në zinxhirin e tregtimit të tyre, për të mbrojtur fermerët dhe prodhimin vendas.
Publik.al mbetet i hapur për çdo reagim nga kompanitë e përfshira apo institucionet përgjegjëse për këtë çështje.
Denonimi i plotë:
Përshëndetje Publik media,
Ju shkruaj për një shqetësim vërtet të madh.
Shikoj në portale për një pleh kimik të llojit ure, të cilën e kam përdorur edhe unë në pemëtoret e mia, ku aty kam hedhur mundin e jetës.
Tani kjo kompani na ka shitur një produkt i cili nuk jep rendimentin e duhur. Përkundrazi, dëmton realisht shumë tokën, e cila do vite që të pastrohet, të marrë veten.
Dhe e dyta, na e ka shitur me çmim 3 fish më të lartë, pasi ai produkt kushton vetëm 25 mijë lekë të vjetra kuintali dhe na është shitur 78 mijë lekë të vjetra.
Të lutem bëni diçka, pasi vetëm ju nuk shiteni dhe besimi ka ngelur vetëm tek ju. Ju lutem bëni diçka, pasi vërtet na është bërë një dëm i madh.
Faleminderit 🙏🏻🙏🏻🙏🏻
Ju lutem merreni në konsideratë, pasi nuk di ku të drejtohem më, pasi po na marrin në qafë me këtë ure që shitet në çdo farmaci bujqësore dhe pikë shitjesh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




