E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Festat e fundvitit, zbardhet plani i masave i Policisës së Shtetit
Lajme

Festat e fundvitit, zbardhet plani i masave i Policisës së Shtetit

Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të shtuar dhe ka përforcuar shërbimet në të gjithë vendin, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të Vitit të Ri 2026.

Për parandalimin e incidenteve dhe ngjarjeve kriminale, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash, me detyra të qarta për të gjitha strukturat policore vendore dhe qendrore.

Masat parashikojnë shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe të Policisë Kriminale në të gjithë territorin, me fokus garantimin e rendit dhe parandalimin e veprimtarive kriminale. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe menaxhimit të fluksit në pikat e kalimit kufitar, ku do të rritet numri i sporteleve dhe burimeve njerëzore për të shmangur radhët dhe për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve. Në pikat tokësore, bashkëpunimi me autoritetet homologe do të intensifikohet për të siguruar qarkullim të njëtrajtshëm në të dyja anët e kufirit.

Gjithashtu, do të rritet kontrolli në pikat kufitare dhe patrullimi në kufirin e gjelbër për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare. Në fushën e sigurisë rrugore, Policia do të intensifikojë monitorimin e qarkullimit përmes mjeteve inteligjente shpejtësimatëse, dronëve, alkooltestuesve dhe shtimit të patrullave të Policisë Rrugore në akset urbane dhe interurbane, me synim parandalimin e aksidenteve.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit sqaron se deklaratat publike të bëra nga kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta, lidhur me pretendimet për urdhra për plotësimin e një numri të caktuar masash administrative janë të pavërteta. Autoritetet theksojnë se nuk ekziston asnjë urdhër i tillë dhe se masat administrative, së bashku me fushatat sensibilizuese, kanë si qëllim të vetëm rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Plani i masave përfshin edhe bashkëpunimin me pushtetin vendor dhe institucionet fetare për mbarëvajtjen e ceremonive festive të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, si dhe koordinimin me Policinë Bashkiake. Do të ketë prezencë të shtuar policore në shëtitore, pedonale, sheshe publike dhe objekte kulti, si dhe kontrolle të përforcuara në ambiente me frekuentim të lartë, si restorante, lokale dhe qendra tregtare.

Po ashtu, do të intensifikohen kontrollet ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike, në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, ndërsa do të rritet siguria në banka, zyra këmbimi valutor dhe objekte ku administrohen vlera monetare. Policia do të bashkëpunojë edhe me shërbimet private të sigurisë për përforcimin e masave mbrojtëse.

Shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale dhe repartit special RENEA do të jenë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo moment, nëse situata e kërkon.

Policia e Shtetit garanton angazhim maksimal për një fundvit të sigurt dhe u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë, duke denoncuar çdo rast paligjshmërie apo konflikt të mundshëm në numrin pa pagesë 112, gjatë gjithë periudhës festive.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.