E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Festivali i Porto Palermos dhe zgjerimi i rrjeti izraelit në Shqipëri
Lajme

Festivali i Porto Palermos dhe zgjerimi i rrjeti izraelit në Shqipëri

Çfarë fshihet pas një konference për inovacionin?

Një konferencë e zhvilluar më 12 gusht në Kalanë e Porto Palermos ka nxjerrë në pah një rrjet bashkëpunimi mes Izraelit dhe profesionistëve shqiptarë, i ndërtuar prej vitesh në fushën e inovacionit, sipërmarrjes dhe zhvillimit.

Aktiviteti “World Changers Porto Palermo” nuk ishte një organizim i Ambasadës së Izraelit. Konferenca u organizua nga Institute for Advanced Studies and Cooperation (IASC), në bashkëpunim me Porto Palermo Festival, ndërsa financimi erdhi nga Ministria shqiptare e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Megjithatë, prania e diplomacisë izraelite ishte e dukshme. Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ishte e vetmja ambasadore e huaj e ftuar për të folur në aktivitet. Për më tepër, sipas saj, tre nga pesë shqiptarët pjesëmarrës në një prej paneleve kishin ndjekur më parë në Izrael një program për inovacionin dhe sipërmarrjen.

Ky detaj merr rëndësi nëse vendoset në kontekstin e shtimit të kontakteve diplomatike dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Izraelit gjatë muajve të fundit.

MASHAV dhe rrjeti i profesionistëve shqiptarë

Peleg mori pjesë në panelin që trajtonte politikën, diplomacinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, ku foli edhe për marrëdhëniet mes Izraelit dhe Shqipërisë.

Por një prej elementeve më të veçanta të aktivitetit lidhej me panelin “Innovation, Creativity and Sustainable Living”, ku ambasadorja nuk ishte pjesëmarrëse.

Sipas saj, tre nga pesë panelistët shqiptarë kishin kryer në Izrael kursin “New Innovation and Entrepreneurship”. Në Porto Palermo, ata kishin ndarë edhe përvojat e fituara gjatë periudhës së trajnimit.

Në fund të reagimit të saj, Peleg iu referua MASHAV Israel.

MASHAV është Agjencia Izraelite për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim dhe funksionon në kuadër të Ministrisë së Jashtme të Izraelit. Përmes programeve të saj, profesionistë nga vende të ndryshme trajnohen në Izrael në fusha si inovacioni, teknologjia, sipërmarrja dhe bujqësia, përpara se të rikthehen në vendet e tyre.

Ky mekanizëm ka krijuar ndër vite edhe një grup profesionistësh shqiptarë që kanë kaluar nëpër programet e MASHAV.

Një prej emrave të bërë publikisht i njohur në këtë kuadër është Denisa Kele, pedagoge dhe eksperte e teknologjisë, e cila është prezantuar më herët në aktivitetet e Ambasadës së Izraelit si pjesëmarrëse në programet e MASHAV.

Ambasada ka zhvilluar gjithashtu aktivitete të formatit “MASHAV Tech Talk”, ku profesionistë shqiptarë që kanë ndjekur këto programe janë rikthyer si folës në fusha që lidhen me teknologjinë, sipërmarrjen dhe sigurinë kibernetike.

Për dy prej tre shqiptarëve të tjerë të përmendur nga Peleg nuk rezultojnë të dhëna publike të mjaftueshme për identifikimin e tyre me siguri. Megjithatë, fakti që tre nga pesë panelistët kishin ndjekur programin në Izrael është deklaruar publikisht nga vetë ambasadorja.

Kontaktet diplomatike janë shtuar

Porto Palermo nuk përbën një rast të izoluar.

Një ditë përpara konferencës, Galit Peleg zhvilloi një takim në Vlorë me kryetaren e Bashkisë, Bruna Mersini.

Pas takimit, Mersini deklaroi se diskutimet kishin të bënin edhe me zgjerimin e bashkëpunimeve që synojnë zhvillimin e qytetit.

Në njoftimin publik nuk u bë fjalë për investime konkrete. Bashkëpunimi i përmendur lidhet kryesisht me Muzeun Hebraik Shqiptar dhe promovimin e trashëgimisë hebraike të Vlorës.

Megjithatë, takimi dhe pjesëmarrja e ambasadores izraelite, një ditë më pas, në një aktivitet ndërkombëtar në Porto Palermo tregojnë për intensifikimin e kontakteve institucionale mes palëve.

Nga bujqësia te takimet biznesore

Bashkëpunimi shqiptaro-izraelit në këto fusha është shfaqur edhe më herët gjatë vitit.

Më 12 maj, Peleg ishte në Cërrik, ku së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Bujqësisë Andis Salla vizitoi fermën eksperimentale të shkollës profesionale “Mihal Shahini”.

Projekti është zhvilluar me ekspertizën e MASHAV dhe synon transferimin e teknologjive dhe njohurive izraelite në sektorin e bujqësisë.

Më pas u zhvillua “AgriNext 2026”, aktivitet ku kompani dhe institucione shqiptare e izraelite zhvilluan takime B2B. Në këtë kuadër, Shqipëria dhe Izraeli nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi për bujqësinë dhe sigurinë ushqimore.

Në këtë mënyrë, gjatë muajve të fundit janë shfaqur disa hallka të njëpasnjëshme: programe trajnimi, profesionistë shqiptarë të përfshirë në rrjetet e MASHAV, projekte konkrete, kontakte mes bizneseve dhe intensifikim i marrëdhënieve diplomatike.

Interesi ekonomik izraelit në Shqipëri

Një tjetër element i kësaj panorame është interesi ekonomik i investitorëve izraelitë.

Në shtator të vitit 2025, revista “Monitor” publikoi një analizë mbi rritjen e pranisë së investimeve izraelite në Shqipëri.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë të cituara në atë analizë, stoku i investimeve direkte izraelite kishte arritur në rreth 6 milionë euro në fund të tremujorit të parë të vitit 2025, niveli më i lartë i regjistruar deri në atë periudhë.

Vlera e investimeve nuk ishte e konsiderueshme në raport me totalin e investimeve të huaja në Shqipëri, por vëmendje tërhoqi natyra e sektorëve ku ishte shfaqur interesi.

Sipas analizës, bëhej fjalë për financat, pasuritë e paluajtshme dhe industrinë e sigurisë, ndërsa ishte raportuar edhe interes për krijimin e një banke dixhitale në Shqipëri.

Një tjetër element i rëndësishëm ishte mundësia që statistikat zyrtare të mos pasqyrojnë të gjithë kapitalin me origjinë izraelite, në rastet kur investimet strukturohen përmes kompanive të regjistruara në shtete të tjera.

Strategji e koordinuar apo bashkëpunim i konsoliduar?

Të gjitha këto zhvillime ngrenë pyetjen nëse bëhet fjalë thjesht për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve apo për një strategji më të gjerë ekonomike dhe diplomatike të Izraelit në Shqipëri.

Megjithatë, të dhënat publike të disponueshme nuk janë të mjaftueshme për të arritur në një përfundim të tillë.

Edhe në rastin e Porto Palermos, faktet e dokumentuara janë të qarta: aktiviteti nuk u organizua nga Izraeli, por nga IASC dhe Porto Palermo Festival, me financim nga Ministria shqiptare e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Po ashtu, nuk ka të dhëna publike që Ambasada e Izraelit apo MASHAV të kenë financuar ose organizuar konferencën.

Ajo që tërheq vëmendjen është kombinimi i disa elementeve: ambasadorja izraelite ishte e vetmja ambasadore e huaj që foli në aktivitet, ndërsa tre nga pesë shqiptarët në një panel, sipas deklarimit të saj, kishin kaluar më parë nëpër një program trajnimi të shtetit izraelit.

Kjo ngre një tjetër pyetje: sa e gjerë është sot shtrirja e rrjetit profesional të krijuar përmes MASHAV në Shqipëri dhe sa ndikim ka ai në fushat e inovacionit, sipërmarrjes, teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik?

Përgjigjja kërkon më shumë të dhëna dhe dokumente publike.

Por një element tashmë është i dukshëm: paralelisht me rritjen e kontakteve ekonomike dhe diplomatike mes Shqipërisë dhe Izraelit, është konsoliduar edhe një rrjet profesionistësh, trajnimesh dhe bashkëpunimesh institucionale që shkon përtej aktiviteteve të drejtpërdrejta të Ambasadës.

Konferenca e Porto Palermos thjesht e bëri këtë rrjet më të dukshëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.