Kush janë 4 të plagosurit nga shpërthimi i skafit në Porto Palermo?
Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Porto Palermo, ku katër persona kanë mbetur të lënduar dhe kanë pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit.
Ngjarja ka ndodhur teksa katër personat po punonin për riparimin e motorit të një skafi. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se benzina është përfshirë në flakë, duke shkaktuar më pas shpërthimin.
Të lënduarit janë Mateo Merdanaj, 25 vjeç, Aleks Doda, 18 vjeç, Xhemal Ismailaj, 40 vjeç dhe Ardinant Qaziu, 38 vjeç.
Dy prej tyre kanë pësuar djegie të shumta në trup dhe, për shkak të gjendjes shëndetësore, janë nisur drejt Tiranës për të marrë trajtim më të specializuar. Dy të dëmtuarit e tjerë kanë pësuar dëmtime më të lehta dhe raportohet se janë në gjendje të stabilizuar.
Një prej të dëmtuarve, Xhemal Ismailaj, ka treguar për Report TV se të katër personat po punonin për riparimin e një defekti teknik të skafit. Sipas tij, gjatë punës është krijuar një shkëndijë, e cila ka bërë që benzina e derdhur në tokë të marrë flakë.
“Po i bënim shërbim, kishim nxjerrë kandelet dhe po i xhironim se ishte bllokuar. Bëri skonto dhe mori flakë nga benzina që ishte derdhur”, është shprehur Ismailaj.
Pas shpërthimit, personat e lënduar janë hedhur në det për t’u larguar nga flakët dhe kanë marrë ndihmën e mjeteve të tjera lundruese që ndodheshin pranë.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet përkatëse, ndërsa të dëmtuarit janë transportuar fillimisht drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.
Policia bën me dije se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon verifikimet për të përcaktuar rrethanat e plota të incidentit dhe shkakun e shpërthimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



