Si i legalizuan 156 ndërtime në zona arkeologjike Blendi Gonxhe dhe Endri Haxhiu
Në datën 6 gusht 2026, “Pamfleti” publikoi shkrimin me titull: “Endri Haxhiu, ‘zari’ i Blendi Gonxhes ka ndërhyrë në 114 monumente kulturore dhe ka firmosur 171 ndërtime në zona arkeologjike, në Shkodër e gjithë Shqipërinë”, të provuar me fakte për shkatërrimin dhe zhdukjen e vlerave të trashëgimisë historike.
Menjëherë pas shkrimit dhe paralajmërimit tonë për publikimin e bëmave të tjera, faqja zyrtare e vendimeve u mbyll nga ministri Blendi Gonxhe dhe “zari” i tij Endri Haxhiu, Sekretar i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Kryetar i Këshillit Teknik, por “Pamfleti” i disponon të gjitha vendimet.
Referuar të dhënave zyrtare, rezulton se gjatë 7 muajve janar-korrik 2026 në detyrë, Endri Haxhiu ka miratuar dhe firmosur në total 237 vendime si Sekretar i Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale dhe 111 vendime si Kryetar i Këshillit Teknik.
Sipas konstatimeve, 156 vendime janë me relacione miratim lejesh për të kryer ndërtime në zona arkeologjike e të trashëgimisë nga kompani private, disa muaj pas nisjes së punimeve për resorte, kulla, hotele, komplekse pallatesh e vilash, madje edhe pas përfundimit të ndërtimeve.
Sipas ligjit, verifikimi, relacioni dhe miratimi i lejeve për të kryer punime ndërtimi e restaurimi në zonat arkeologjike dhe objekte të trashëgimisë kulturore duhet të jepet para marrjes së lejes së ndërtimit, ose minimalisht para nisjes së punimeve.
Por Endri Haxhiu i Blendi Gonxhes ia ka dhënë relacionet dhe miratimet formale e false pas nisjes dhe kryerjes së ndërtimeve, me mashtrime sikur nuk cenohen zonat arkeologjike e monumentet e kulturës, duke lejuar masakrën në vlerat e trashëgimisë kombëtare.
Ja disa vendime me leje arkeologjike false të dhëna pas nisjes dhe përfundimit të punimeve:
· Vendim Nr. 53, datë 20 maj 2026, me objekt miratimin e raportit të vëzhgimit arkeologjik për kullën “Paskone”, godinë banimi dhe shërbimesh me 15 kate mbi tokë e 1 kat parkimi nëntokë, në rrugën “Fan Noli” Kamëz, me zhvillues kompaninë “Kontakt” të Fatmir Bektashi e dhëndrit Jamarbër Malltezi të Sali Berishës.

· Vendim Nr. 73, datë 26 qershor 2026, me objekt miratimin e raportit të vëzhgimit arkeologjik të kullës “Naya”, godinë banimi dhe shërbimi me 17 kate mbi tokë dhe 2 kate parkimi nëntokë, në rrugën “Gjon Simoni” Tiranë, përsëri me zhvillues kompaninë “Kontakt” të Fatmir Bektashi e dhëndrit Jamarbër Malltezi të Sali Berishës.

· Vendim Nr. 38, datë 13 shkurt 2026, me objekt miratimin e raportit të vëzhgimit arkeologjik për lejimin e zbatimit të projektit resort multifunksional me vila e shërbime “Amantes” faza 1 e 2 në Himarë, nga kompania “Bega 07” e trafikantit Arben Muçobega dhe “Capital B”, pas të cilëve qëndron ministrja Mirela Kumbaro.

Ja falsifikimi dhe mashtrimi që ka bërë Endri Haxhiu i Blendi Gonxhes: Miratimin e relacionit arkeologjik e të trashëgimisë e ka dhënë më 13 shkurt 2026, rreth 2 vjet pas lejes së ndërtimit dhe nisjes së punimeve.
Madje, përveç falsifikimit të relacionit, shkelja e drejtorit Endri Haxhiu është shumë e rëndë, pasi ky resort po ndërtohet në Gjirin e Llamanit në Porto-Palermo, që është shpallur zonë e mbrojtur “Park Natyror” me pasuri arkeologjike, ku ndalohet çdo lloj ndërtimi.
· Vendim Nr. 32, datë 13 shkurt 2026, për miratimin e raportit të vëzhgimit arkeologjik për projektin “Kompleks hotelerie, banimi dhe shërbimesh 5 kate mbi tokë e 2 kate parkimi nëntokë” në Radhimë, me zhvillues subjektin “Baitel-Bojo Resort”; ku shkatërrimi është kryer, megjithëse është zonë arkeologjike ku nuk lejohen ndërtime.

· Vendim Nr. 33, datë 13 shkurt 2026, për miratimin e raportit të vlerësimit arkeologjik në kuadër të projektit “Kompleks rezidencial me 13 kate mbitokë dhe 2 kate nëntokë” në Vlorë, me zhvillues subjektin “Regina Group Construction”, miratim i dhënë pas nisjes së punimeve, si dhe është zonë me potencial arkeologjik të trashëgimisë kulturore ku nuk lejohen ndërtime.

· Vendim Nr. 63, datë 10 mars 2026, për miratimin e projekt-idesë për ndërhyrje emergjente në 7 monumente brenda Parkut Kombëtar Arkeologjik të Butrintit, me aplikues “Atria Studio” dhe zhvillues “Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit”; kur faktikisht këto ndërhyrje janë kryer më parë, ndërsa Endri Haxhiu i Blendi Gonxhes ka miratuar relacionin fiktivisht.

· Vendim Nr. 61, datë 10 mars 2026, me objekt miratimin e projektit “Bënja – destinacion ndërkombëtar turistik në Përmet brenda Zonës Mbrojtëse të Monumentit të Trashëgimisë”, me aplikues Genti Çupi dhe zhvillues Bashkia Përmet, kur ndërhyrjet me beton nisën para 1 viti dhe kanë përfunduar. (vijon…)./Pamfleti

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



