E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Fitojnë miliona € por nuk paguajnë sigurimet e punonjësve
Lajme

Fitojnë miliona € por nuk paguajnë sigurimet e punonjësve

Pse i fitojnë gjithmonë milionat Gerond Meçe dhe Sokol Sinani?

Skema e dyfishtë: Si shmangin taksat dy firmat e preferuara të AKSHI-t

Dy kompani të shpallura fituese në tendera miliona euro të shpallura nga AKSHI dhe institucionet e varësisë  “ABS” e Gerond Meçes

dhe “DATA LOG” e Sokol Sinanit ,  rezultojnë të përfshira në mashtrime me sigurimet shoqërore dhe taksat, si dhe shkelje të kushteve ligjore për certifikimin e personelit në ambiente të sigurisë së lartë.

AKSHI, Burgjet dhe Policia  pa siguri, pa punonjës të siguruar

Burime konfidenciale konfirmojnë për publik.al se asnjëra nga këto kompani nuk ka personel të certifikuar për sigurinë, siç kërkohet për punë në ambiente të tilla si Policia e Shtetit, AKSHI apo sistemet e drejtësisë. Në vend të përmbushjes së kritereve ligjore, ato bëjnë presion institucional për t’i hequr këto kritere nga tenderat publikë.

Në dy ankesa identike të dorëzuara në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), firmat kundërshtojnë kërkesën që operatorët ekonomikë të paraqesin listëpagesat e sigurimeve shoqërore për 3 muajt e fundit, si dëshmi se punonjësit janë realisht pjesë e stafit.

Ankesat e kompanive në KPP dokumente që tregojnë mashtrimin institucional

Tenderi për Policinë e Shtetit: Firma që do të punojë në polici, s’ka as inxhinierë të punësuar

Më 23 korrik 2025, firma ABS e Gerond Meçes aplikon për tenderin “Mirëmbajtja e sistemit FER për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit” me vlerë 34.9 milionë lekë pa TVSH.

Kushtet e tenderit kërkonin:

  • Të paktën 15 punonjës të siguruar
  • Prej tyre 10 inxhinierë të diplomuar në fusha teknologjike
  • Diplomat dhe listëpagesat për 3 muajt e fundit të paraqitura me formularin E-sig

ABS, në vend që t’i plotësojë këto, kundërshton kriterin, duke pretenduar se është “i paligjshëm dhe joproporcional”. Në ankesë thuhet se:

“Operatori mund të sigurojë punonjës me kontratë posaçërisht për këtë procedurë.”

Pra, firma pranon se nuk i ka inxhinierët e kërkuar dhe nuk i siguron.

🧾 Raste të përsëritura mashtrimi me listëpagesat

Nuk është hera e parë që ABS kapet në shkelje.

Në një tender të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për sistemin “ICMIS”, Tatimet zyrtarisht kanë raportuar se në shkurt 2025, kompania nuk kishte paguar kontribute për asnjë punonjës.

Dokumenti zyrtar i Tatimeve për 0 kontribute nga ABS – shkurt 2025

Përkundër deklarimit se “të gjithë punonjësit janë të siguruar”, Drejtoria e Tatimeve ka certifikuar të kundërtën. Si rezultat, KLGJ e përjashtoi kompaninë nga tenderi.

 Jo vetëm sigurime  por edhe refuzim për certifikatat e sigurisë

Gerond Meçe, përmes firmës së tij, refuzon edhe kërkesën për certifikata sigurie për stafin dhe vetë atë si drejtues. Kjo është veçanërisht problematike kur bëhet fjalë për punë në Polici apo AKSHI, ku informacioni është sekret shtetëror dhe në zona sigurie të klasit të parë.

 Kush është Gerond Meçe?

Emri i tij lidhet ngushtë me baxhanakun e Kryeministrit Edi Rama – Armand Frangu, ortak në kompani dhe partner në shumë tendera.

Nga shtatori 2013 deri më sot, firma ABS ka fituar rreth 15.6 milionë euro tendera shtetërorë.

Shembuj të tenderëve të fituar nga ABS me ofertën më të lartë – një skemë e pastër klientelizmi

🧾 Rasti identik i “DATA LOG”  ndjek shembullin e ABS

Më 24 korrik 2025, një tjetër ankesë identike mbërrin në KPP, këtë herë nga firma DATA LOG e Sokol Sinanit, për tenderin e Ministrisë së Financave me objekt:

“Mirëmbajtja e Sistemit Informatik të Menaxhimit Financiar (AFMIS)” – 169 milionë lekë pa TVSH.

Edhe kjo firmë kundërshton kriterin për listëpagesat dhe certifikatat e sigurisë, duke pretenduar se nuk është i domosdoshëm për përmbushjen e kontratës.

 Lidhjet e errëta të Sokol Sinanit

Sokol Sinani ka qenë ortak i Ilir Beqajt në kompaninë INTECH+, një firmë e njohur për përfitime nga tendera të dyshimtë të dhënë nga AKSHI. Pavarësisht se Beqaj është sot i arrestuar nga SPAK, burime të shumta dyshojnë se ai vijon të kontrollojë pas skene përfitimet përmes Sinanit.

Në janar 2025, Belinda Balluku i dha DATA LOG një kontratë me vlerë 270 milionë lekë me TVSH për mirëmbajtje database dhe licenca Oracle për OSHEE. Në këtë tender:

  • Vetëm 3 firma morën pjesë
  • 2 prej tyre nuk dorëzuan asnjë dokument
  • DATA LOG fitoi automatikisht me 91.87% të fondit limit

Tenderi me fitues të paracaktuar? Dokumentet tregojnë mungesë konkurrence reale

A do të dorëzohet KPP përballë presionit?

Tani që Jonaid Myzyri – ish-drejtues i KPP – është nën hetim nga SPAK për korrupsion, a do të arrijnë Gerond Meçe dhe Sokol Sinani të imponojnë heqjen e kritereve ligjore nga tenderat?

A do të guxojë Komisioni i ri i Prokurimit Publik të mbrojë ligjin, apo do të nënshkruajë një tjetër aferë të pastër klienteliste dhe fiskale?

Në vend që të certifikojnë punonjës, të sigurojnë të punësuarit dhe të operojnë me integritet, këto firma kërkojnë të rishkruajnë rregullat sipas interesit të tyre. Janë simptomë e një modeli korrupsioni, ku taksat shmangen, shteti manipulohet dhe fondet publike rrjedhin drejt xhepave të miqve të pushtetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.