E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Flakët nuk ndalen, 27 vatra zjarri në 24 orë, pesë ende aktive
Lajme

Flakët nuk ndalen, 27 vatra zjarri në 24 orë, pesë ende aktive

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 27 vatra zjarri në të gjithë territorin e vendit. Nga këto, pesë vijojnë të jenë aktive, ndërsa dy të tjera mbahen nën monitorim të vazhdueshëm.

Për menaxhimin e situatës janë angazhuar 42 automjete zjarrfikëse dhe 371 efektivë në terren. Në mbështetje të operacioneve janë përfshirë edhe 153 trupa të Forcave të Armatosura, 6 mjete zjarrfikëse, një autoambulancë ushtarake, katër helikopterë dhe një avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Situata sipas zonave

Në Cikallesh, në bashkinë e Kavajës, vijon puna për shuarjen e vatrave të mbetura, ndërsa situata paraqitet e qëndrueshme dhe pa rrezik për banesat. Edhe në zonat e Dajtit dhe Priskës së Madhe, zjarret janë nën kontroll dhe monitorohen pa evidentuar kërcënim për komunitetin.

Në Mallakastër, në segmentin Panahor–Ndrenie–Vlosh, flakët janë vënë nën kontroll, ndërsa në Koilaç–Greshicë/Hekal situata është stabilizuar dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Në Krujë, në zonën e Abazes, zjarri është reduktuar në disa vatra të vogla. Ndërkohë, në Krastë ndërhyrja vijon me mbështetje ajrore për shkak të terrenit të vështirë, por pa rrezik të drejtpërdrejtë për banesat.

Në Kurbin, në zonën e Vilëzit, zjarri mbetet aktiv. Ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së flakëve, duke shmangur rrezikun për kishën, varrezat dhe banesat përreth.

Gjatë kësaj periudhe janë shuar plotësisht edhe disa vatra të tjera, përfshirë ato në Xhaferaj–Oblikë, Spatharë dhe Kodrën e Butë në Cërrik.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me strukturat përkatëse, vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në terren, me fokus mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve materiale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.