“I kemi lënë pa ujë e pa ushqim, duhet status për ta”
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër pas zjarrit të rënë në një pallat pranë kompleksit “Arlis” në Tiranë, duke kërkuar hetim të thelluar dhe përgjegjësi të plotë për ngjarjen.
Braçe bëri me dije se ka qenë personalisht në vendngjarje, ku është njohur nga afër me situatën dhe me kushtet në të cilat punojnë efektivët e zjarrfikëses. Ai theksoi se përtej falënderimeve, kjo kategori ka nevojë për mbështetje konkrete dhe urgjente.
Në reagimin e tij, deputeti ngriti një shqetësim të fortë lidhur me kushtet bazë të punës së zjarrfikësve, duke theksuar se ata që shërbejnë 24 orë nuk kanë as ushqim të garantuar.
“E mësova sot me turp që zjarrfikësit nuk kanë kuotë ushqimore, ndërkohë që ndahen fonde të mëdha për administratën. Kjo është e papranueshme për një kategori që rrezikon jetën çdo ditë për të shpëtuar të tjerët”, u shpreh ai.
Braçe kërkoi rishikimin urgjent të statusit të zjarrfikësve, duke theksuar nevojën për ndryshime ligjore, ekonomike dhe sociale, që të reflektojnë realisht sakrificën dhe rëndësinë e tyre në shoqëri.
Nga ana tjetër, ai ndaloi edhe te shkaqet e zjarrit, duke kërkuar një hetim të plotë dhe profesional mbi të gjithë faktorët që mund të kenë ndikuar në përhapjen e flakëve.
Sipas tij, verifikimi duhet të përfshijë çdo element, nga projekti i ndërtimit dhe materialet e përdorura, te zbatimi i rregullave inxhinierike, devijimet nga leja, si dhe funksionimi i sistemeve të sigurisë, energjisë dhe fasadës së godinës.
“Çdo element duhet hetuar, pasi të gjithë kanë ndikuar në përhapjen e zjarrit dhe rrezikimin e jetëve të banorëve dhe atyre që ndërhynë për shpëtim”, theksoi ai.
Në përfundim, Braçe shtoi se Tiranë meriton standarde më të larta ndërtimi dhe sigurie, sidomos në kushtet kur çmimet e banesave janë ndër më të lartat në vend.







