Florian Binaj dhe marrëdhënia e pazakontë me Edi Ramën
Florian Binaj, i njohur më shumë si humoristi i Portokallisë dhe për imitimin e tij të Edi Ramës, është bërë kandidati i partisë kryesore opozitare për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës.
Me një karrierë të gjatë në fushën e humorit, Binaj ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të ngushtë dhe shumë të mirë me Edi Ramën, me të cilin ka shkëmbyer shumë komplimente dhe vlerësime në publik.
Gjatë viteve, Binaj është angazhuar nga Partia Socialiste në disa ngjarje, ku ka krijuar momente qesharake për drejtuesit e vendit. Në një prej këtyre rasteve, ai shprehu mirënjohjen ndaj Ramës, duke e falenderuar për mbështetjen që i dha në fillimet e tij në skenë.
“Para nëntë vitesh, kur u futa në Portokalli, pata takimin e parë me kryetarin e PS-së, i cili më dha një mandarion që më solli shumë fat. Për këtë arsye sot unë ia kthej me një portokall,” deklaroi Binaj gjatë një aktiviteti të PS-së disa vite më parë.
Nga ana tjetër, Rama nuk mungoi në shfaqjen e mirënjohjes, duke i dhuruar humoristit kollarën e tij, ndërsa Agron Llakaj – i njohur për imitimin e Berishës – komentoi: “Ky e ka merituar.”
“Unë nuk jam i sigurt se kush u bë më i famshëm nga tjetri, nëse ai nga unë apo unë nga ai… Por pasi më dhuroi portokallin, do t’i jap unë kollarën time. Siç thotë Agroni, ‘ky e ka merituar,’” tha Rama.
Edhe më vonë, respekti midis tyre mbeti i fortë. Në 35-vjetorin e aktorit, kryeministri i uroi ditëlindjen publikisht, duke e përshkruar si një person me stil, të talentuar dhe të edukuar.
“Florian Binaj është një djalë me shumë klas, me një botë të bukur, i talentuar dhe me edukatë, i cili ka shkëlqyer mes shumë talentesh të ekranit të vogël, sidomos me imitimin tim në shfaqjen më të njohur dhe kreative televizive, Portokallia, që ka shënuar rekorde audiencash!
Nuk i kam kuptuar kurrë politikanët që mërziten apo zemërohen kur komedianët dhe karikaturistët i vendosin në lojë, sepse kur janë të zotë si Flori, apo si djemtë dhe vajzat e Portokallisë, apo si Agron Llakaj dhe Bujar Kapexhiu, ata sjellin një freski dhe energji pozitive për publikun. Arti i tyre ka një fuqi emancipimi dhe lehtësimi që i ndihmon njerëzit, dhe Flori është një nga ata që meriton respektin për mënyrën elegante dhe pa vulgaritet që trajton temat e tij.
I uroj ditëlindjen, shëndet, forcë krijuese dhe suksese për veten dhe të dashurit e tij, dhe shpresoj që energjia e tij dhe e kolegëve të tij të talentuar të vazhdojë të ushqejë publikun, sidomos në këto kohë sfiduese,” shkroi Rama në një postim në Facebook.

Për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Florian Binaj u zgjodh pas refuzimeve të Ilir Alimehmetit dhe Jorida Tabakut për të kandiduar. Partia Demokratike, duke kërkuar një emër jopartiak, përkrahjen e kandidaturës së Binajt e mori edhe nga Adriatik Lapaj nga Shqipëria Bëhet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



