E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Superioriteti i Florit përballë baltës së pushtetit
Lajme

Superioriteti i Florit përballë baltës së pushtetit

 | Opinion | Publik.al

Pa kaluar shumë ditë nga shpallja e kandidaturës së pavarur të Florjan Binajt, tronditja dhe paniku i shkaktuar në sistemin mediatiko-politik sollën në mënyrë të “magjishme” edhe ringjalljen e Gjykatës Kushtetuese, e cila pezulloi zgjedhjet në Tiranë.

Tronditja ishte aq e fortë, sa edhe analistët “e pavarur” u gjendën të papërgatitur përballë një kandidati vërtet të pavarur, të mbështetur nga shoqëria e paangazhuar dhe partitë opozitare.

Në një përpjekje çnjerëzore për të ngritur sa më shpejt një retorikë negativiste, u prodhuan pa sukses dy “mendime” që do t’i dëgjojmë të përsëritura nga fytyra të ndryshme me të njëjtën xhaketë, gjithmonë pro pushtetit:

1. “Binaj është kandidati i Berishës.”

Si mund të jetë kandidati i Berishës, kur kandidatura e tij u shpall më 4 tetor dhe mbështetja nga PD erdhi më 6 tetor? Dhe nëse vërtet ekzistonte një plan i fshehtë i ngritur nga lideri i PD-së, i cili sapo mbushi 81 vjeç, a do të toleronte Doktori që Binaj të ishte i dyti pas Adriatik Lapajt në mbështetje publike? Përtej egos së Doktorit, me këtë mbështetje PD humbi edhe mundësinë e artë për të absorbuar partinë Mundësia, e cila me ambicien për të marrë lidershipin opozitar po rrezikonte ekzistencën e vet me një koalicion që do të zhbënte arsyet e mbështetësve për të qëndruar nën logon e saj të re.

E vërteta është se, në një pozitë disavantazhuese për brendin e saj, PD doli përtej interesit të vet partiak për të mbështetur z. Binaj, i cili po dëshmonte një kohezion të jashtëzakonshëm nga faktorë të ndryshëm të shoqërisë dhe politikës, vetëm me një postim ku shpallte kandidaturën në Facebook. Një fitore paraprake e integritetit dhe personalitetit që z. Binaj e ka ndërtuar gjithë jetën me punë dhe ndërgjegje qytetare, që nuk vihet në dyshim nga askush, përveç atyre që mbijetojnë nga interesat politike.

2. “Një aktor humori nuk mund të menaxhojë Bashkinë e Kryeqytetit.”

A e keni seriozisht se qyteti është menaxhuar në këto 34 vite demokraci? Mendoni vërtet se është menaxher i zoti një kryetar që e ka kthyer Bashkinë në një zgjatim të partisë, si në burime njerëzore, ashtu edhe në interesa ekonomike? Fillimisht, duhet të keni turp që krijoni këtë etalon krahasimi, jo përpara publikut, sepse ata ju kanë kuptuar tashmë, por përpara fëmijëve tuaj, të cilëve po u mësoni se nënshtrimi është shembull suksesi.

Florjan Binaj, në një intervistë në Top Story me Grida Dumën, dha shembullin më kuptimplotë të një menaxheri të aftë europian dhe shqiptar njëkohësisht. Duke perifrazuar fjalët e tij: “Do të sjell një frymë të re në Bashki, ku profesionistëve do t’u delegohet përgjegjësia për të dhënë zgjidhjet më të mira, dhe unë si kryetar do të kujdesem që njerëzit me meritë të vendosen në vendin e duhur.” Psikologu me famë botërore, Jordan Peterson thotë se një menaxher i mirë ndërton ekipe të pavarura përmes fuqizimit, besimit dhe delegimit efektiv, duke i mundësuar vetes të përqendrohet në objektiva strategjike dhe zhvillim afatgjatë.

Është pafatësi, manipulim dhe palacollëk imazhi i një kryetari bashkie, i ngritur nga kjo politikë e fëlliqur, që del të “kontrollojë” punimet në rrugë e shkolla, ndërsa drejtorët e tij shumëdimensionalë vjedhin 100% tenderat.

Është turp dhe pafytyrësi të dalësh e të mbjellësh pemë në një qytet ku mijëra qytetarë vdesin nga kanceri i mushkërive i shkaktuar nga ndotja e ajrit.

Është maskarallëk dhe djallëzi t’u ushqesh fëmijëve të këtij vendi modelin e një kryetari bashkie që quhet “menaxher i zoti” vetëm sepse sillet si Edi Rama, Erion Veliaj, Lulzim Basha apo Ogerta Manastirliut.

Që prej vitit 2009, kur kam filluar të ndjek politikën në mënyrë aktive, Bashkia e Tiranës nuk ka pasur kurrë një pretendues për kryetar me integritet kaq të lartë dhe aftësi të vërteta menaxheriale sa Florjan Binaj.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.